Aktualitet

Asgjësohen 3 mijë e 679 bimë kanabisi në Shkodër, nën hetim inxhinieri i pyjeve

Sipas njoftimit të policisë 265 fidanë dhe 1437 bimë kanabisi u gjetën në njësitë administrative Pult, Shalë dhe Postribë, ndërsa nën hetim është vënë një inxhinier i pyjeve, për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.

24 Qershor 2025, 11:03 Nga M.B
Asgjësohen 3 mijë e 679 bimë kanabisi në Shkodër,
Droga

SHKODRA- Në Shkodër janë asgjësuar 3679 fidanë dhe bimë kanabisi në kuadër të operacionit “Koordinata”. Sipas njoftimit të policisë 265 fidanë dhe 1437 bimë kanabisi u gjetën në njësitë administrative Pult, Shalë dhe Postribë, ndërsa nën hetim është vënë një inxhinier i pyjeve, për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.

Gjithashtu bëhet me dije se në njësitë administrative Shllak dhe Temal, dhe asgjësuan 1977 bimë kanabisi. Policia thotë se vijon punën për identifikimin e autorëve të këtyre rasteve të kultivimit të lëndëve narkotike.  

Njoftimi:

Qarku Shkodër/Vijon operacioni policor i koduar “Koordinata”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike. Gjenden dhe asgjësohen 3679 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi të saj, kanë gjetur të kultivuara dhe kanë asgjësuar 265 fidanë dhe 3414 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, konkretisht:

-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën në territorin e njësive administrative Pult, Shalë dhe Postribë, dhe asgjësuan 265 fidanë dhe 1437 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Në vijim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shpërdorim detyre dhe për moskallëzim krimi, për inxhinierin e pyjeve, shtetasin A. M.;

-Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën në territorin e njësive administrative Shllak dhe Temal, dhe asgjësuan 1977 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të këtyre rasteve të kultivimit. Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata”, vijon.

shkodra

Sondazh

Poll