Politike

Berisha: Strumbullari i farsës elektorale është shteti elektoral, vota e diasporës është një aspekt i kësaj masakre

Ndër të tjera Berisha u shpreh se qeveri kurrë nuk mund të shpërndajë para bonuse në periudhë fushate elektorale.

29 Maj 2025, 14:19 Nga E. D
Berisha: Strumbullari i farsës elektorale është shteti elektoral,
Sali Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur në konferencë për shtyp me gazetarët u shpreh se vota e diasporës, ishte vota që presupozohej të ishte më e lira. Kryedemokrati theksoi se strumbullari i farsës elektorale është shteti elektoral dhe vota e diasporës është një aspekt i kësaj masakre. Ndër të tjera Berisha u shpreh se qeveri kurrë nuk mund të shpërndajë para bonuse në periudhë fushate elektorale. Berisha gjithashtu theksoi se KQZ-ja zbaton porositë e Edi Ramës. 

"Vota e diasporës, ishte vota që presupozohej të ishte më e lira, vota e lirë e qytetarëve. Dhe shtetërimi i saj, tregoi vdekjen e saj pa hyrë në kuti. Mendoj se farsa elektorale ka elementë të tjerë, kapitalë. Mendoj se një qeveri kurrë, kurrë nuk mund të shpërndajë para, bonuse në periudhë fushate elektorale. Kurrë nuk mund ta bëjë atë, sepse blen votë. Mendoj se një qeveri kurrë nuk mund të falë 200 milionë euro gjoba dhe kamata, dy ditë para zgjedhjeve, nëse do u përmbahet parimeve ndërkombëtare.

Mirëpo këto bëhen gjithsej, të paktën 280-300 mln euro, të dhëna qytetarëve. Mendoj se një qeveri kurrë nuk mund të shndërrojë punonjësit e saj në operatorë elektoralë. Nuk mund ta bëjë atë se pastaj nuk ka më shtet të drejtës, por ka shtet elektoral. Kështu që në rast se flasim për farsë elektorale, strumbullari i farsës elektorale është shteti elektoral, sepse pastaj në fushë mbetet një gjigand me miliarda euro në dispozicion, me qindra mijëra mjete logjistike, automjete, zyra, dhoma, etj. Me të gjithë fuqinë ekzekutive të ligjit dhe të shtetit, me dhjetëra mijëra leje, punësime, legalizime etj.

Pra, farsa ka si gjenerator shtetin elektoral. Sepse shtetet që organizojnë farsa, jo të gjitha përdorin kartelet e drogës. Kurse në Shqipëri përveç shtetit elektoral është narkoshteti, kartelet më të fuqishme të Europës. Nuk mund të ketë sot në Europë një kartel më të fuqishëm se karteli Troplini, sepse është i vetmi kartel që e ka portin, port të lirë për kokainën. Pas operacionti çfarë i bënë, çfarë pësuan? Asgjë. Një turp, turp i madh. Të gjithë Troplinët janë të lirë, paçka se shkojnë e shtrojnë në dru para 4-5 ditësh në ndjekje Gjushin. Ku janë? Vazhdojnë të menaxhojnë portin, vazhdojnë të kontrollojnë portin. Vazhdojnë të presin ngarkesat, ti kalojnë.

A ju kujtohet ju kontenieri që nuk kaloi skanerin, që erdhi nga porti i Durrësit dhe ata e hoqën nga skaneri, e prunë tek banesa e tyre, e shkarkuan dhe pastaj e dërguan atje. Asnjë kartel në Europë nuk ka këtë fuqi.
Nuk ka si karteli i Suel Çelës, i cili kontrollon të gjithë heroinën. Autostrada e heroinës që vjen nga Turqia, Afganistani dhe shkon në Europë. Nuk ka kartel si Bajrët që regjistrojnë me dhjetëra vrasje. Pra, manipulimi i diasporës është një aspekt i shëmtuar i farsës, por farsa është e ngritur në të gjitha këto kolona që unë thashë më sipër.

KQZ-ja zbaton porositë e Edi Ramës. KQZ ka kontratën, dhe KQZ e di që kushti ynë ka qenë, jo nënkotraktor.
Por duheshin nënkontraktorët që një njeri të mbushte 30 mijë vota. Ti çoje në Greqi, janë punonjës. Prandaj del fiks, kaq vota do i jepen PD-së, të tjerat do i marrë PS-ja. Nuk ka asgjë këtu. Janë qindra e mijëra vota që nuk kanë firmën e marrësit. Mungojnë 40 mijë vota, janë përdorur këtu brenda për të mbushur kuti dhe për të ndryshuar rezultate," tha Berisha.

sali berisha

Sondazh

Poll