Politike

Pas Kukësit, Beratit dhe Korçës, Partia Demokratike ankimon rezultatin zgjedhor në të gjithë qarkun e Gjirokastrës dhe Vlorës

Mësohet se këtë herë ankimimi është bërë lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Qarkun Gjirokastër dhe Vlorë.

27 Maj 2025, 16:24 Nga M.L
Pas Kukësit, Beratit dhe Korçës, Partia Demokratike ankimon
Sali Berisha

TIRANA- Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka paraqitur një tjetër ankimim pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve. Mësohet se këtë herë ankimimi është bërë lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Qarkun Gjirokastër dhe Vlorë.

Pas ankimimeve të mëparshme në qarqet Kukës, Berat dhe Korçë, Partia Demokratike kërkon shpalljen si të pavlefshme të rezultatit zgjedhor në të gjithë qarkun e Gjirokastrës dhe Vlorës dhe përsëritjen e votimeve për Kuvendin e Shqipërisë.

“Zgjedhjet në Gjirokastër ishin një farsë e pastër! Administrata publike është përdorur si instrument presioni, si ‘makineri’ për të mbledhur vota për Partinë-Shtet. Asnjë barazi, asnjë transparencë, vetëm trysni, shpërblime dhe frikësim i votuesve,” thuhet në ankesën e PD-ASHM.

Sipas opozitës, janë siguruar prova, indicie dhe dëshmi të mjaftueshme,ku faktohet se në çdo Qendër Votimi në Gjirokastër ka pasur parregullsi të rënda, përfshirë angazhimin e funksionarëve shtetërorë në fushatë, shpërndarje ndihmash në këmbim të votës dhe kërcënime direkte ndaj mbështetësve të opozitës.

Administrata lokale dhe degët e ministrive në territor u kthyen në zgjatime të partisë në pushtet. Shërbimet publike u përdorën si monedhë këmbimi. Kemi të bëjmë me një shtet të kapur plotësisht nga logjika elektorale,”  vijon në ankimim PD-ASHM.

Koalicioni opozitar akuzon se këto zgjedhje janë shembull i rënies së garës demokratike dhe vendosjes së një sistemi të deformuar zgjedhor, ku partia në pushtet garon me të gjitha instrumentet e shtetit në dorë, ndërsa opozita kufizohet në burime, akses në media dhe mbështetje institucionale. Në përfundim, PD-ASHM i bën thirrje KAS-it të pranojë ankesën dhe të shpallë pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Qarkun Gjirokastër, duke kërkuar përsëritjen e votimit në kushte të barabarta dhe të ndershme.

partia demokratike

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll