Politike

"Krim institucional dhe neglizhencë, të merren masat"/ Ngjarja e Gramshit, Partia e Lirisë: Dorëheqje të menjëhershme të drejtuesve vendorë dhe të strukturave përgjegjëse

Merja bëri përgjegjëse autoritetet shtetërore lokale dhe qendrore për këtë ngjarje.

26 Maj 2025, 15:56 Nga E. D
"Krim institucional dhe neglizhencë, të merren masat"/
Arla Merja

TIRANË- Partia e Lirisë ka reaguar për ngjarjen e Gramshit, për helmimin e fëmijëve në kopshtin shtetëror. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Arla Merja, duke folur në një konferencë për shtyp e cilësoi këtë ngjarje neglizhencë, papërgjegjshmëri dhe krim institucional që vjen edhe si pasojë e “kontratave me mik” dhe ku ‘kontrollet shtetërore për sigurinë janë vetëm në letër’.

Gjithashtu Merja bëri përgjegjëse autoritetet shtetërore lokale dhe qendrore për këtë ngjarje. Teksa renditi dhe mungesën e reagimit nga strukturat shtetërore, mungesën e masave dhe organeve ligjzbatuese, PL kërkoi reagim institucional dhe hetim të plotë dhe transparent.

“Në një vend ku kontratat publike jepen me mik dhe kontrollet shtetërore për sigurinë janë vetëm në letër, siguria ushqimore është kthyer në një rrezik të përditshëm për qytetarët. Partia e Lirisë shpreh indinjatën më të thellë për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në qytetin e Gramshit dhe që ka tronditur mbarë opinionin publik, ku mbi 70 fëmijë të mitur janë helmuar si pasojë e ushqimit të kontaminuar të ofruar nga një kompani private kateringu në një institucion shtetëror – një kopsht që duhej të ishte një vend i sigurt për të vegjlit tanë. 

Kjo është më shumë se një neglizhencë – është një krim institucional, një akt papërgjegjshmërie totale që vë në rrezik jetën e fëmijëve dhe shkatërron besimin e prindërve tek institucionet shtetërore. Ku janë autoritetet? Pse deri më tani nuk kemi asnjë deklaratë zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë apo ajo e Arsimit? Pse nuk është pezulluar menjëherë kontrata me kompaninë e kateringut dhe nisur ndjekja penale për ata që kanë lejuar këtë skandal? Ku është Prokuroria, që në raste të tilla duhet të veprojë menjëherë?

Hetim të plotë dhe transparent, të menjëhershëm, nga organet e drejtësisë për të zbuluar përgjegjësit institucionalë dhe kontraktorë. Ndërprerje të menjëhershme të kontratës me subjektin privat që ka ofruar ushqimin. Dorëheqje të menjëhershme të drejtuesve vendorë dhe të strukturave përgjegjëse, që kanë dështuar të garantojnë kontrolle bazë ushqimore. Rishikim të të gjitha kontratave të ushqimit në çerdhe dhe kopshte publike në mbarë vendin. Kjo është pasojë direkte e kapjes së shtetit, e kontraktimeve klienteliste dhe mungesës totale të kontrollit”, përfundoi Merja.

arla merja

Sondazh

Poll