Politike

Takim informal në Varshavë mes kryediplomatëve/ Hasani: Zgjerimi i BE-së duhet të jetë prioritet, garanton të ardhmen e përbashkët kundër kërcënimeve hibride

Në fokus të këtij takimi ishte shkëmbimi i mendimeve mbi sfidat aktuale gjeopolitike dhe nevoja për forcimin e qëndrueshmërisë kolektive ndaj kërcënimeve hibride.

8 Maj 2025, 17:09 Nga M.B
Takim informal në Varshavë mes kryediplomatëve/ Hasani: Zgjerimi
Foto nga takimi

VARSHAVA- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë sot në Drekën Informale të Punës me Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ministrat e Jashtëm të Vendeve Kandidate dhe Potencialisht Kandidate për anëtarësim në BE, e zhvilluar në kuadër të Takimit Informal të Ministrave të Jashtëm të BE-së.

Në fokus të këtij takimi ishte shkëmbimi i mendimeve mbi sfidat aktuale gjeopolitike dhe nevoja për forcimin e qëndrueshmërisë kolektive ndaj kërcënimeve hibride. Hasani rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, si dhe ndau me të pranishmit disa prej hapave të deritanishme të ndërmarra nga vendi ynë kundër kërcënimeve hibride dhe në linjëzim të plotë me kuadrin e BE-së dhe NATO-s.

Ai përmendi miratimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Sigurinë Kibernetike, përafrimin me rregulloret e BE-së për qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike deri në vitin 2026, si dhe zbatimin e legjislacionit sekondar sipas Ligjit për Sigurinë Kibernetike deri në vitin 2025. Anëtarësimi i Shqipërisë në Qendrën Evropiane të Ekselencës për Kundërvënien ndaj Kërcënimeve Hibride në Helsinki, si anëtari i 36-të, u theksua si një hap i rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e praktikave më të mira.

“Asnjë vend nuk është imun ndaj kërcënimeve hibride, prandaj duhet të qëndrojmë vigjilent dhe të punojmë ngushtësisht nga afër", nënvizoi Hasani, duke shtuar që vendi ynë është gati gjithashtu të kontribuojë për ndërtimin e një kuadri rajonal bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor nën ombrellën e BE-së, në mënyrë që të adresohen dezinformimi dhe kërcënimet hibride.

Ndër të tjera, Hasani theksoi se zgjerimi i BE-së duhet të jetë një prioritet kryesor, pasi garanton të ardhmen tonë të përbashkët kundër kërcënimeve të tilla duke kontribuar njëkohësisht në ruajtjen e unitetit të Evropës.

Gjatë takimeve të shpejta me homologë të ndryshëm nga BE-ja, Ministri Hasani shfrytëzoi mundësinë për të përcjellë edhe mirënjohjen ndaj qëndrimit të përbashkët të Këshillit të BE-së për Grup-Kapitullin e 3-të për "Konkurrueshmërinë dhe Rritjen Gjithëpërfshirëse", i cili do të çelet zyrtarisht në Konferencën e 5-të Ndërqeveritare në Bruksel më 22 Maj 2025.

Ai ka theksuar se angazhimi i Shqipërisë për integrimin në BE mbetet i palëkundur dhe i pandërprerë, dhe se puna jonë vazhdon me fokus dhe vendosmëri për të avancuar procesin e anëtarësimit.

igli hasani

Sondazh

Poll