Aktualitet

Të shtënat në Tiranë/ Qëlloi me armë në mes të lokalit, kush është ish-kryekomunari në kërkim (EMRI)

Ai dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt 40-vjeçarit, Kasem Stani. Stani pësoi dëmtime të lehta nga goditja me qytën e pistoletës gjatë përleshjes.

17 Prill 2025, 16:42 Nga N.F
Të shtënat në Tiranë/ Qëlloi me armë në mes
Adriano Shabanaj

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me plagosje me armë zjarri në një lokal në Tiranë mbrëmjen e së mërkurës (16 Prill), ku një person u qëllua me armë dhe u dërgua në një spital privat në Tiranë pas ngjarjes.

Sipas informacioneve zyrtare, konflikti shpërtheu për motive të dobëta dhe përfshiu disa persona. Mësohet se në lidhje me ngjarjen janë arrestuar 8 persona. Në kërkim është shpallur 51-vjeçari Adriano Shabanaj.

Ai dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri drejt 40-vjeçarit, Kasem Stani. Stani pësoi dëmtime të lehta nga goditja me qytën e pistoletës gjatë përleshjes. Mësohet se Shabanaj është ish-kryekomunar i Kurjanit në Roskovec. Ai është zgjedhur në vitin 2011 dhe rezulton person me precedentë penalë.

Ai u arrestua në shtator të vitit 2020 nga policia e Lushnjës për plagosjen me armë të një shtetasi pas një konflikti për parakalim. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Kosovë e Vogël–Jeta e Re, ku Shabanaj qëlloi me armë ndaj Mario Arapajt, 32 vjeç.

Po ashtu, në vitin 2018, Shabanaj ra në prangat e autoriteteve italiane si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte drogë dhe armë. Ai ishte një ndër 14 shqiptarët e përfshirë në një organizatë prej të paktën 20 anëtarësh, që operonte mes Shqipërisë, Holandës dhe Italisë. Policia vijon punën për kapjen e Shabanajt dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

adriano shabanaj

Sondazh

Poll