Aktualitet

KPA lë në fuqi konfirmimin në detyrë të prokurores Elfrida Bregova

Pasi Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani kërkoi lënien në fuqi konfirmimin në detyrë të prokurores së Tiranës, Elfrida Bregova, Kolegji e gjeti të drejtë vendimin e Komisionit për ta lënë në sistem këtë subjekt rivlerësimi.

13 Mars 2025, 15:31 Nga B.Z
KPA lë në fuqi konfirmimin në detyrë të prokurores
Elfrida Bregova

TIRANË - Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të enjten më 13 mars vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të prokurores së Tiranës, Elfrida Bregova.

Prokurorja Bregova u konfirmua në detyrë më 8 prill 2022 pasi e bindi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për ligjshmërinë e burimeve të krijimit të pasurive, si dhe për rrethanat e një transferte bankare në emër të bashkëshortit për pagesën e çmimit të një apartamenti, që subjekti pretendoi se ishte kryer nga të tjerë persona dhe se e kishte kallëzuar në prokurori.

Vendimi për Bregovën u ankimua prej ish-institucionit të Komisionerëve Publikë, duke u ngritur shkaqe për pasurinë, që kishin të bënin me mënyrën e pagesës së çmimit të një apartamenti në Tiranë.

Megjithatë, në përfundim të shqyrtimit në Kolegj, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani i cili ka marrë kompetencat e Komisionerëve Publikë, deklaroi se provoheshin pretendimet e subjektit për pasurinë. Lidhur me mungesën e një raporti të përditësuar nga AKSIK për figurën, Dumani vlerësoi bazuar në raportin e mëparshëm që është pozitiv dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të këtij subjekti Bregovës.

Elfrida Bregova përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua fillimisht prokurore pranë Prokurorisë së Kavajës. Prej vitit 2010, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë./BIRN

kpa elfrida bregova

Sondazh

Poll