Politike

Partia e Lirisë pjesë e "Aleanca për Shqipërinë Madhështore", Meta: Vota masive e shqiptarëve për koalicionin opozitar do të sjellë ndryshimin

Meta u bëri thirrje shqiptarëve në diasporë që në orët që kanë mbetur deri në mesnatë të regjistrohen në platformën PER për të votuar për zgjedhjet e 11 majit.

4 Mars 2025, 20:50 Nga r.ll
Partia e Lirisë pjesë e "Aleanca për Shqipërinë
ilir meta

TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirës, Ilir Meta ka reaguar nga burgu lidhur me koalicionin "Aleanca për Shqipërinë Madhështore", pjesë e së cilës është dhe partia që ai drejton. 

Meta u bëri thirrje shqiptarëve në diasporë që në orët që kanë mbetur deri në mesnatë të regjistrohen në platformën PER për të votuar për zgjedhjet e 11 majit. Ai shprehet më tej se vota masive e shqiptarëve për koalicionin gjithëpërfshirës opozitar "Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore" do të sjellë ndryshimin.

POSTIMI I PLOTË: 

Falenderoj Kryesinë e Partisë së Lirisë, që miratoi sonte me unanimitet marrëveshjen për hyrjen në koalicionin opozitar gjithëpërfshirës "Partia Demokrarike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore".

Në funksion të Fitores dhe Ndryshimit të shumëpritur më 11 Maj, çdo anëtar dhe simpatizant i Partisë së Lirisë, brenda por edhe jashtë vendit, do të japë kontributin e tij maksimal për shkuljen nga themelet të Narkoshtetit të kalbur, të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë.

U bëj thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve tanë në diasporë, që në këto orë të mbetura të regjistrohen për të votuar më 11 Maj për të ndëshkuar sektin që dëboi mbi 1 milion shqiptarë në emigrim dhe që nga paniku po tenton çdo manovër për të penguar votën e tyre.

Vota masive e shqiptarëve për koalicionin gjithëpërfshirës opozitar "Partia Demokratike - Aleanca për Shqipërinë Madhështore" do të sjellë Ndryshimin. FITORE!

Partia Demokratike ka dorëzuar mbrëmjen e djeshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e plotë të partive që do të përbëjnë koalicionin e saj për zgjedhjet e 11 majit. Koalicioni, i emërtuar "Aleanca për Shqipërinë Madhështore" (ASHM), përbëhet nga 26 parti politike.

Në koalicion përfshihen edhe aleatët kryesorë si PL e Ilir Metës, PR e Fatmir Mediut dhe PDK e Nard Ndokës. Sipas listës, mësohet se në koalicion me PD-në është përfshirë dhe Shpëtim Idrizit, i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), por edhe Vangjel Dule i PPDNJ. Në listat zgjedhore, Partia e Lirisë do të ketë 4 deputetë të sigurtë, ndërsa Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe Agron Duka do të kenë nga një deputet secili. Sipas kësaj, koalicioni siguron 8 mandate të sigurta për aleatët e demokratëve. Gjithashtu sipas marrëveshjes, çdo parti do të propozojë kandidatët e saj për listën shumëemërore, duke u bazuar në peshën elektorale dhe negociata.

ilir meta aleanca për shqipërinë madhështore

Sondazh

Poll