Politike

Dyshime për manipulime në votimin e diasporës/ Lëvizja Vetëvendosje kërkon hetim të plotë: Kosova duhet të ruajë standardet e saj demokratike!

Sipas Vetëvendosjes, shpallja e qindra fletëvotimeve si të pavlefshme, pavarësisht qartësisë së votës së qytetarëve, është vetëm një nga problemet e evidentuara.

4 Mars 2025, 19:59 Nga N.F
Dyshime për manipulime në votimin e diasporës/ Lëvizja
Kurti

KOSOVË- Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka reaguar lidhur me procesin e numërimit të votave me postë nga diaspora, duke ngritur shqetësime për parregullsi të shumta. Sipas Vetëvendosjes, shpallja e qindra fletëvotimeve si të pavlefshme, pavarësisht qartësisë së votës së qytetarëve, është vetëm një nga problemet e evidentuara.

LVV thekson një rritje të pazakontë të votave për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në votimin me postë, e cila bie ndesh me rezultatet brenda Kosovës dhe ato nga përfaqësitë diplomatike. Një rast që ka ngjallur veçanërisht dyshime është ai i kandidatit të LDK-së, Hysen Çekaj.

“Në Kosovë, ai ka marrë 11,268 vota, ndërsa nga votimi në ambasada vetëm 98. Megjithatë, pas numërimit të votave me postë, ai renditet i treti më i votuar me mbi 12,000 vota.” Vetëvendosje pretendon se një model i përsëritur votimi, i dokumentuar nga vëzhguesit e saj, tregon se një grup i organizuar ka manipuluar procesin.

LVV thekson se sipas këtyre vëzhgimeve, fletëvotimet përmbajnë një strukturë të njëjtë votash për disa kandidatë specifikë të LDK-së, duke ngritur dyshime mbi autenticitetin e tyre.

“Për shembull, në komunën e Skenderajt, numri i votave të LDK-së nga diaspora (497) tejkalon atë të votave të fituara brenda Kosovës (419), një shpërputhje e pazakontë. Po ashtu, ndonëse Çekaj jeton në Shtutgard, aty ka siguruar vetëm 33 vota, ndërsa në ambasadat dhe konsullatat e tjera në Gjermani, shifra është shumë më e ulët”.

Lëvizja Vetëvendosje ka raportuar këto dyshime në polici dhe prokurori, por deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim nga organet e drejtësisë. Sipas kësaj partie, është e domosdoshme një hetim i thelluar për të garantuar integritetin e zgjedhjeve dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve. Vetëvendosje thekson se Kosova duhet të ruajë standardet e saj demokratike, duke siguruar që proceset zgjedhore të jenë të lira dhe të ndershme.

Dyshime për manipulime në votimin e diasporës/ Lëvizja

 

lvv alim rama

Sondazh

Poll