Politike

Berisha takim me Koordinatorin për Marrëdhëniet me Jashtë të "Forza Italia": Diskutuam për marrëdhëniet mes dy partive tona dhe për zhvillimet në Shqipëri

Berisha thotë se siguroi zotin Seppilli se PD me mbështetjen e miqve dhe partive simotra do ta rikthejë Shqipërinë në rrugën e shtetit ligjor dhe demokracisë.

4 Mars 2025, 17:30 Nga r.ll
Berisha takim me Koordinatorin për Marrëdhëniet me Jashtë
pamje nga takimi

MILANO- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim në Milano me  Koordinatorin për Marrëdhëniet me Jashtë të Forza Italia, Ludovico Seppilli. Në takim ishte i pranishëm dhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. 

Përmes një postimi në Facebook, ku ka ndarë dhe pamje nga takimi, Berisha shprehet se diskutuan mbi marrëdhëniet tradicionale midis dy forcave politike, intensifikimin e këtyre marrëdhënieve, bashkëpunimin bilateral dhe atë në kuadrin e EPP dhe IDU.

Më tej shprehet se e ka informuar lidhur me zhvillimet në Shqipëri, se si sipas tij, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar "burgosjen e liderëve të tre partive politike opozitare" dhe ka dëbuar në 10 vite, 45% të shqiptarëve nga Shqipëria. Po ashtu thotë se siguroi zotin Seppilli se PD me mbështetjen e miqve dhe partive simotra do ta rikthejë Shqipërinë në rrugën e shtetit ligjor dhe demokracisë.

POSTIMI I PLOTË:

Takim me Koordinatorin për Marrëdhëniet me Jashtë të Forza Italia, z. Ludovico Seppilli

Të dashur miq,

Në Milano, së bashku me kryetarin e Partisë Republikane, Z. Fatmir Mediu, takuam Koordinatorin për Marrëdhëniet me Jashtë të Forza Italia, Z. Ludovico Seppilli. Në këtë takim diskutuam gjerësisht mbi marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera midis dy forcave tona politike, intensifikimin e këtyre marrëdhënieve, bashkëpunimin bilateral dhe atë në kuadrin e EPP dhe IDU.

Gjatë takimit, e njoha Z. Seppilli me zhvillimet në Shqipëri, narko-diktaturën e parë dhe të vetme në Europë, në të cilën Edi Rama, me drejtësinë e tij politike, ka burgosur dhe përndjekur liderët e tre partive politike opozitare, ka marrë mandatet e përfaqësuesve të opozitës dhe, me korrupsionin e tij, ka dëbuar në 10 vite, 45% të shqiptarëve nga Shqipëria.

Unë gjithashtu e sigurova Z. Seppilli se PD, me mbështetjen e miqve të saj si Forza Italia dhe partitë simotra, do ta shpëtojë vendin nga regjimi korruptiv i Edi Ramës dhe do ta rikthejë Shqipërinë në rrugën e shtetit ligjor dhe demokracisë. sb

sali berisha ludovico seppilli

Sondazh

Poll