Politike

"Tirana s'ka ujë"/ Rama: S'ka pas kurrë 24 orë ujë as në kohën e komunizmit!

Rama u shpreh se 24 orë ujë nuk ka pasur as në kohën e komunizmit, ndërsa shton se Tirana ka 24 orë ujë në 67% të territorit të saj.

26 Shkurt 2025, 17:33 Nga B.Z
"Tirana s'ka ujë"/ Rama: S'ka pas kurrë 24
Edi Rama

TIRANË - Kryeministri Edi Rama gjatë takimit në Tiranë me strukturat socialiste është ndalur edhe te disa komente nga emigrantët shqiptarë të cilët kanë thënë se në Tiranë nuk ka ujë. Lidhur me këtë Rama u shpreh se 24 orë ujë nuk ka pasur as në kohën e komunizmit, ndërsa shton se Tirana ka 24 orë ujë në 67% të territorit të saj.

Kreu i qeverisë krahason Shqipërinë sot me vitet '80, teksa thotë se dikur jo vetëm që s'ka pas 24 orë ujë, por në shumë zona ka pas një çezëm të përbashkët për lagjen që shkonin atje e mbushnin ujë.

Rama:  Po ju sjell një shembull shumë të thjeshtë, pikërisht për një nga gjërat për të cilën njerëzit ankohen, ankohen dhe shumë prej tyre ankohen nga jashtë shtetit sepse nuk e dinë fare që gjërat këtu kanë ndryshuar në njëfarë mënyrë në mos plotësisht, por ankohen dhe këtu brenda. “Nuk ka ujë në Tiranë”.

Kjo është e pavërtetë, është shumë e pavërtetë. Në Tiranë sot në 67% të territorit të bashkisë së Tiranës dhe bashkisë së re të Tiranës, nuk flasim për pjesën e vjetër, 67% ka 24 orë ujë. Në pjesën tjetër ka 17 orë ujë mesatarisht, por nuk ka pasur kurrë, ja ku është Qefalia i madh se ky i vogli është rritur me ujin e Kujtimit. Ja ku e keni Kujtimin, pyeteni sepse Kujtimi është bukë e vjetër. Pyeteni kur ka qenë Kujtimi i vogël ka pasur ujë 24 orë në zonën e Dajtit? Ka pasur ujë këtu 24 orë, këtu ku jemi ne? Jo 24, por ka qenë me orar në mëngjes, në drekë dhe në darkë, historikisht, dhe kështu ka qenë e gjithë Shqipëria. Nuk ka pasur ujë 24 orë në kohën e komunizmit, është përrallë. 

Ka pasur ujë në zonat urbane, por në fshat harroje se ka patur 24 orë ujë. Madje, madje, jo vetëm s'ka pas 24 orë ujë, por në shumë zona ka pas një çezmë të përbashkët për lagjen që shkonin të gjithë atje dhe mbushnin ujin në radhë dhe flas këtu për vitet ’80, nuk flas për kohën mbas luftës, sepse të ndërtosh një sistem të tërë ujësjellësi është të ndërtosh një shtet më vete dhe atyre që thonë “po mirë, akoma për ujin flisni ju, si s'ju vjen turp”? Thonë dhe “si s'ju vjen turp”, domethënë këtu duhet të të vijë turp, edhe kur bën punë sipas disave. I them që, po, flasim akoma për ujin, po, sepse ne kemi vetëm një dekadë në qeveri dhe kur ne kemi ardhur në krye të këtij vendi, ka pasur vetëm katër zona. Uji ndahet me zona në Shqipëri. Ka pasur vetëm katër zona urbane me 24 ujë dhe këtu në Tiranë, kur ne kemi ardhur në qeveri, ka qenë vetëm një zonë e vogël urbane në 24 orë. Sot janë 43 zona urbane. Katër zona urbane me 24 orë ujë nga të gjitha vitet, përfshi dhe komunizmin përpara, që kemi trashëguar me 100 vjet shtet. 

edi rama

Sondazh

Poll