Politike

Berisha: Nderimi më i madh që mund t’u bëjmë 22 intelektualëve të ekzekutuar nga komunizmi është çlirimi i Shqipërisë nga kjo diktaturë e dytë

Berisha shtoi se ky ishte një krim i shëmtuar kundër njerëzimit që regjimi kreu në vazhdën e luftës civile dhe në vazhdën e krimeve të kryera që nga themelimi i partisë komuniste shqiptare.

26 Shkurt 2025, 11:14 Nga N.F
Berisha: Nderimi më i madh që mund t’u bëjmë 22
Berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka marrë pjesë sot në homazhet e zhvilluara për 22 martirët në 74 vjetorin e vrasjeve nga komunistët. Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se sot nderon martirizimin e 22 intelektualëve, ndër të shquarit e kombit shqiptar të cilët u ekzekutuan pas një kurthi të organizuar nga policia sekrete shqiptare dhe KGB-ja.

Berisha shtoi se ky ishte një krim i shëmtuar kundër njerëzimit që regjimi kreu në vazhdën e luftës civile dhe në vazhdën e krimeve të kryera që nga themelimi i partisë komuniste shqiptare. Ai shtoi se kryeministri Edi Rama po përdor të njëjtat metoda, duke shkelur ligje dhe Kushtetutë, kundër kundërshtarëve politikë, për të mbajtur në këmbë regjimin e tij.

Berisha theksoi se sot është një rast për të gjithë shqiptarët që të bashkohen me 11 maji për t’i dhënë shtytjen përfundimtar një regjimi të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. 

"Sot ne nderojmë martirizimin e 22 intelektualëve, ndër të shquarit e kombit shqiptar, të cilët u ekzekutuan pas një kurthi të organizuar nga policia sekrete shqiptare dhe KGB-ja, hedhjen e një shashke apo një bombe asaj kohe ambasadës sovjetike, por që nuk kishte absolutisht asnjë lidhje me intelektualët kolosë që nuk mund të pajtoheshin kurrë me regjimin komunist. Ky ishte një krim i shëmtuar kundër njerëzimit që regjimi kreu në vazhdën e luftës civile, në vazhdën e krimeve të kryera që nga themelimi i partisë komuniste shqiptare si seksioni i partisë komuniste jugosllave, dhe gjer në fund të ekzistencës së saj.


Sot, ne nderojmë dhe përulemi para veprës së pavdekshme të këtyre martirëve, të cilët u përzgjodhën nga regjimi, por edhe personalisht nga Enver Hoxha, i cili me dorën e tij shtoi disa emra, ndër të cilët edhe Sabiha Kasimatin, një intelektuale, një shkencëtare, një studiuese të vërtetë. Të dashur qytetarë, nderimi më i madh që u bëjmë ne sot këtyre përfaqësuesve dinjitozë të elitës së kombit shqiptar është të bashkojmë, të angazhojmë të gjitha forcat për të çliruar Shqipërinë nga kjo diktaturë e dytë, e vendosur nga një bastard i atyre që ekzekutuan 22 intelektualët e pafajshëm vetëm e vetëm për mendimet e tyre kundër diktaturës totalitare.


Edi Rama, sot përdor të njëjtat metoda, duke shkelur ligje dhe Kushtetutë, kundër kundërshtarëve politikë, për të mbajtur në këmbë regjimin e tij. Sot është një rast për të gjithë shqiptarët që të bashkohemi me 11 maj për t’i dhënë shtytjen përfundimtare në galerat e historisë një regjimi të bazuar në krimin,drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve. Nderim përjetë martirëve të kombit shqiptar, që u ekzekutuan vetëm e vetëm si kundërshtarë të armikut të egër të shqiptarëve, doktrinës komuniste dhe regjimit komunist," tha ai.

berisha

Sondazh

Poll