Sport

“Rasti Rubiales”, CAS e ndalon ish-presidentin e RFEF-së deri në tetor 2026...

Nëse nuk depozitohet një apel në Gjykatën Federale të Zvicrës, ndalimi i Luis Rubiales "nga të gjitha aktivitetet e lidhura me futbollin" do të zgjasë deri në tetor 2026.

22 Shkurt 2025, 09:00 Nga DOSJA
“Rasti Rubiales”, CAS e ndalon ish-presidentin e RFEF-së deri

ZVICER - Gjykata e Arbitrazhit Sportiv la dje në fuqi pezullimin tre-vjeçar të vendosur nga FIFA në tetor 2023 ndaj ish-presidentit të Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjol, Luis Rubiales për puthjen jo-konsensuale me lojtaren Jenni Hermoso.

CAS vendosi se sanksioni ishte "i arsyeshëm dhe proporcional". Nëse nuk depozitohet një apel në Gjykatën Federale të Zvicrës, ndalimi i Luis Rubiales "nga të gjitha aktivitetet e lidhura me futbollin" do të zgjasë deri në tetor 2026.

Episodi i puthjes daton në 20 gusht 2023, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të Spanjës, fituese e Kupës së Botës. Ish-numri 1 i futbollit spanjol ka kryer "shkelje të shumëfishta dhe të rënda" të nenit 13 të Kodit Disiplinor të FIFA-s, pretendon CAS: lojtarëve dhe zyrtarëve u kërkohet të respektojnë "rregullat themelore të mirësjelljes" dhe duhet të përmbahen nga "sjelljet që dëmtojnë imazhin e futbollit", nën ndëshkimin e sanksioneve.

Luis Rubiales ka mohuar gjithmonë çdo “konotacion seksual” dhe pretendon se ka vepruar nën ndikimin e “emocionit” dhe në “një moment lumturie”. Në pjesën penale të çështjes, të dëgjuar të enjten në Spanjë, ai u dënua me 10 mijë e 800 euro gjobë për dhunë seksuale, por u shpall i pafajshëm për veprën penale të detyrimit, ndërsa prokuroria kishte kërkuar dënimin me dy vjet e gjysmë burg. Ai ka shpallur synimin e tij për të apeluar, ashtu si edhe Jenni Hermoso.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll