Aktualitet

Protesta para bashkisë së Tiranës, Malkaj: Ne pensionistët kemi forcë dhe zë! Duhet ta bëjmë jetën aktive kundër çdo qeverie që nuk punon për popullin

Gjatë fjalës së tij Malkaj u bëri thirrje të gjithë pensionistëve të protestojnë kundër padrejtësive dhe abuzimeve që po u bëhen. Ai theksoi se paratë e tyre nuk jepen nga xhepi i kryeministrit, Edi Rama por nga xhepi i tyre.

4 Dhjetor 2024, 11:34 Nga N.F
Protesta para bashkisë së Tiranës, Malkaj: Ne pensionistët
Mehdi Malkaj

TIRANË- Aktori i njohur, Mehdi Malkaj ka marrë pjesë ditën e sotme në protestën e radhës të mbajtur para bashkisë së Tiranës. Gjatë fjalës së tij Malkaj u bëri thirrje të gjithë pensionistëve të protestojnë kundër padrejtësive dhe abuzimeve që po u bëhen. Ai theksoi se paratë e tyre nuk jepen nga xhepi i kryeministrit, Edi Rama por nga xhepi i tyre.

Malkaj më tej tha se ata marrin më pak se sa iu kanë marrë. Ai shtoi se nuk merret me politikë ndërsa tha se nëse nuk protestojnë ata, kush do ta bëjë. Aktori tha se duhet të bëjnë jetë aktive kundër kësaj qeveri dhe çdo qeveri që nuk punon për popullin.


"Unë jam pensionist dhe po ju bëj një thirrje të gjithë pensionistëve. Edhe pse jam goxha pensionist, nuk rri në shtëpi, unë punoj. Po ju bëj një thirrje, o zotërinj pensionistë: nuk ju jep kryeministri paratë nga xhepi i tij, ato i merr nga xhepi juaj dhe ju jep më pak se çfarë ju ka marrë. Jeni pjesë e rëndësishme e këtij populli që quhet populli shqiptar. Ne, pensionistët, kemi forcë dhe zë. Unë nuk do të lodhem të protestoj sa të kem jetë. Po nuk pata më jetë, le të thonë ç’të duan.

Ka njerëz që, me dashuri të madhe, më thonë se unë jam njeri i mirë, aktor i mirë, por jam deformuar sepse merrem me politikë. Unë nuk merrem me politikë, por ndoshta është gabim që nuk merrem. Sepse nëse nuk e bëj unë, ti, apo të tjerë si ne që jemi këtu në protestë, kush do ta bëjë? A do ta bëjnë këta batakçinjtë?

Ata po merren me jetën tonë, po përcaktojnë kush jemi, nga vijmë, si jemi, dhe pse jemi. Duhet ta bëjmë jetën aktive duke qenë kundër, jo vetëm kësaj qeverie – që është qeveri e korruptuar dhe e papranueshme por kundër çdo qeverie që vjen e shkon dhe nuk punon për popullin," tha Malkaj.

mehdi malkaj protesta para bashkise se tiranes 4 dhjetor 2024

Sondazh

Poll