Sport

Pse Izraeli merr pjesë në garat e Europës?

Incidentet e fundit në Amsterdam ngrenë shqetësime për sigurinë e ekipeve izraelite në Kontinentin e Vjetër

12 Nëntor 2024, 18:54 Nga DOSJA
Pse Izraeli merr pjesë në garat e Europës?

ZVICER - Me kritere thjesht gjeografike, pjesëmarrja e Izraelit në garat evropiane nuk duket plotësisht e kuptueshme. Vendi laget nga Deti Mesdhe, por gjeografikisht i përket Azisë, siç është rasti me të gjitha vendet fqinje. Domethënë Libani, Siria dhe një pjesë e Egjiptit.

Shteti i Izraelit u krijua në vitin 1948, pas Holokaustit dhe Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtin vit, u themelua Federata e Futbollit të Izraelit (IFA). Ajo është pasardhëse e Federatës së Futbollit të Palestinës, e cila u themelua në vitin 1928 në territoret nën mandatin britanik dhe përfshinte klube hebreje dhe arabe. Në vitin 1956, IFA e re iu bashkua Konfederatës së Futbollit Aziatik (AFC).

Shumë shpejt, Izraeli filloi të dallohej në gara të tilla si Kupa e Kombeve në futbollin e Azisë. Vendin e dytë e fitoi në vitin 1956 dhe 1960, ndërsa në vitin 1968 ishte në vendin e tretë. Në vitin 1964, ishte vendi organizator dhe madje doli i pari. Në vitin 1972 ai do të merrte sërish përsipër ngjarjen, por iu desh të hiqte dorë prej saj.

Anëtarësimi në UEFA

Arsyeja thelbësore e largimit nga konfederata aziatike ishte se, qysh në vitin 1956, shumë ekipe nga vendet arabe, apo të tjera myslimane, nuk donin të përballeshin me ekipet izraelite. E njëjta gjë ndodhi edhe në ngjarjet e Federatës Botërore të Futbollit FIFA.

Për shembull, në kualifikimet e zonës aziatike për Kupën e Botës 1958, Turqia, Indonezia dhe Sudani refuzuan të luanin me Izraelin. Më në fund në vitin 1974 AFC vendosi ta dëbonte Izraelin. Pro kërkesës së Kuvajtit votuan 17 vende, ndërsa 13 abstenuan dhe 6 votuan kundër.

Që atëherë, izraelitët kanë tentuar të operojnë në federata të tjera, pas lejes speciale. Në periudhën 1976-1994, klubet izraelite morën pjesë në Intertoto cup, një kompeticion i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), i financuar nga industria e basteve sportive për të bërë "xhiro" dhe gjatë pushimeve verore të kampionateve kombëtare.

Nga viti 1992 ata filluan të marrin pjesë në kompeticionet e tjera evropiane, ndërsa në vitin 1994 Federata e Futbollit të Izraelit u bë anëtare e plotë e UEFA-s.

Sportet e tjera…

Një kurs të ngjashëm kanë ndjekur edhe federatat e sporteve të tjera, të cilat kanë hasur në reagime. Në vitin 1962, Indonezia, organizatori i Lojërave Pan Aziatike në atë kohë, refuzoi pjesëmarrjen e Izraelit, për të qetësuar reagimet arabe.

Në vitin 1978 vendi u përjashtua përfundimisht nga organizata dhe për të gjitha sportet. Megjithatë, në periudhën 1954-1974 Izraeli kishte arritur të fitonte gjithsej 53 medalje në Lojërat Pan-Aziatike.

Sot Izraeli merr pjesë në federatën evropiane të çdo sporti. Kjo nuk ndodh vetëm në futboll, por edhe në basketboll, në atletë apo në not.

Deri më tani nuk kanë të ndalur zërat e protestës, kryesisht nga bota arabe, duke kërkuar përjashtimin e vendit nga të gjitha federatat dhe të gjitha ngjarjet e mëdha. Në raste të tjera, atletët nga vendet arabe refuzojnë të përballen me kundërshtarë nga Izraeli.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll