Bota

Scholz njofton mbështetje shtesë ushtarake për Kievin gjatë vizitës së Zelenskyy-t

Scholz, i cili u takua të premten në Berlin me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, tha se ndihma e re ushtarake përfshirë kundërajrorë, tanke, artileri dhe dronë.

11 Tetor 2024, 16:25 Nga N.F

Scholz njofton mbështetje shtesë ushtarake për Kievin gjatë

GJERMANI- Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, është zotuar të premten se vendi i tij do ta mbështesë Kievin me një paketë të re ushtarake në vlerë 1.4 miliard euro kah fundi i këtij viti. Scholz, i cili u takua të premten në Berlin me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, tha se ndihma e re ushtarake përfshirë kundërajrorë, tanke, artileri dhe dronë.

“Ky është mesazh i qartë për [presidentin rus Vladimir] Putin: të blesh kohë nuk funksionon. Ne nuk do ta kufizojmë mbështetjen për Ukrainën”, tha Scholz.

Zelensky është në një turne në Evropë ku synon ta paraqesë para vendeve aleate “planin e fitores” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, si dhe për të kërkuar leje për përdorimin e armëve të aleatëve për sulme thellë brenda Rusisë.

Buxheti i Gjermanisë për këtë vit parasheh gati 7.5 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën, ndërsa plani i buxhetit të vitit të ardhshëm parasheh rreth 4 miliardë euro. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ REL

lufta ne ukraine scholz volodymyr zelenskyy

Sondazh

Poll