Aktualitet

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj, portugezi Ruben Saraiva del para Gjykatës së Lezhës për t’u njohur me provat e reja

Portugezi është paraqitur disa herë në gjykatë, por pala mbrojtëse pretendon se Prokuroria nuk ka prova të reja që implikojnë klientin e tij në vrasjen e Ardjan Nikulajt në Shëngjin.

9 Tetor 2024, 11:43 Nga N.F
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj, portugezi Ruben Saraiva del para
Ardian Nikulaj dhe Ruben Saraiva

LEZHË- Portugezi, Ruben Saraiva është paraqitur ditën e sotme në Gjykatën e Lezhës për t’u njohur me provat e reja që e implikojnë atë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj. Portugezi është paraqitur disa herë në gjykatë, por pala mbrojtëse pretendon se Prokuroria nuk ka prova të reja që implikojnë klientin e tij në vrasjen e Ardjan Nikulajt në Shëngjin.


Portugezi Ruben Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare. Vendimi u konsiderua i padrejtë nga avokati i Portugezit Kujtim Cakrani, sipas të cilit kur kanë kaluar më shumë se 1 vit nga ky procedim penal prokuroria ende nuk ka prova që e implikojnë.

SI NDODHI VRASJA?

Ardian Nikulaj u vra më 19 prill brenda lokalit të tij në Shëngjin. Porositës dhe organizator është Edmond Haxhia i cili ka rënë në pranga, së bashku me tre britanikë Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman. Të katër këta janë prangosur, pasi autoritetet britanike kanë pranuar si të ligjshme kërkesën e bërë nga Policia e Shtetit. Për këtë ngjarje mbetet në kërkim Harry Simpson, i akuzuar gjithashtu si bashkëpunëtor.

Ruben Saravia iku nga Shqipëria përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, në drejtim të Greqisë. Nuk dihet se çfarë rruge ka ndjekur portugezi për të mbërritur deri në Marok. Britanikët dyshohet se kanë qenë informatorë, ata kanë qëndruar pikërisht në resortin në pronësi të biznesmenit Ardian Nikulaj dhe sipas hetuesve, ata kanë vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e tij dhe të stafit, të cilat më pas ia raportonin portugezit Ruben Saraiva.

ardian nikulaj ruben saraiva

Sondazh

Poll