Politike

Ministri Vengu inspekton punimet për ndërtimin e Kampusit të Akademisë së FA: Do t’i shërbejë rritjes së profesionalizmit të forcave tona

Sipas ministrit të Mbrojtjes, kontrata parashikon që deri në mars 2025 të përfundojë faza e parë e projektit, që përfshin godinën e re të Fakultetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë si dhe mensën për studentët.

14 Shtator 2024, 12:23 Nga S.B
Ministri Vengu inspekton punimet për ndërtimin e Kampusit të
Pirro Vengu

TIRANË- Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu inspektoi punimet për ndërtimin e Kampusit të Akademisë së Forcave të Armatosura (AFA). I shoqëruar edhe nga komandanti i AFA gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, Vengu u njoh me ecurinë e projektit.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, kontrata parashikon që deri në mars 2025 të përfundojë faza e parë e projektit, që përfshin godinën e re të Fakultetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë si dhe mensën për studentët. Deri më tani janë realizuar 50% e punimeve.

“Do të vijohet me financimin e fazës së dytë, për të përballuar kapacitetet në rritje, në mënyrë që sezonin e ardhshëm kampusi të jetë në gjendje pune. Synimi është që kjo të jetë një akademi autonome, sipas modelit të West Point” tha Vengu.

Ministri i Mbrojtjes vuri theksin në krijimin e një akademie që do t’u shërbejë jo vetëm Forcave të Armatosura, por edhe institucioneve të tjera. Nga ana e tij, komandanti i AFA gjeneral brigade Bardhyl Nuredinaj, nënvizoi faktin se kjo akademi do të shërbejë edhe për studentët nga Kosova, Maqedonia e Veriut, por edhe vende të tjera të rajonit, ndërsa synimi është shkëmbimi i studentëve edhe me akademi të njohura, me të cilat Shqipëria ka bashkëpunime si në Itali, Greqi apo në Turqi.

Këtë vit, sipas Nuredinaj, parashikohet hapja e dy programeve të reja në nivelin master, “Inteligjencë artificiale” dhe “Marrëdhënie Ndërkombëtare”. Kampusi i ri i Akademisë së Forcave të Armatosura po ndërtohet në një sipërfaqe 9,1 hektarë.

Në bashkëpunim me SHBA, në këto mjedise do të jetë edhe Qendra e Simulimit, e cila do të sigurojë trajnimin e forcave në një mjedis të përshtatshëm dhe me kosto më të ulët, krahasuar më stërvitjet në terren.

pirro vengu forcat e armatosura

Sondazh

Poll