Aktualitet

U arrestua për vrasjen e Edmond Papës/ Gjykata lë në burg Andrew Boden, 45-vjeçari mohon akuzat: Nuk kam lidhje

Sipas tij, e vetmja arsye se përse nuk është dorëzuar para autoriteteve në momentin që është shpallur në kërkim ka qenë fakti që nuk ka besim te Policia. 

30 Gusht 2024, 12:00 Nga I.A

U arrestua për vrasjen e Edmond Papës/ Gjykata lë në burg

TIRANË- 45-vjeçari Andrew Bode është lënë në masën e sigurisë arrest me burg nga Gjykata e Tiranës për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa. Papa u ekzekutua pasditen e 16 dhjetorit 2022 në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. Bode u arrestua disa ditë më parë teksa fshihej në shtëpinë e Julian Kalemit në Memaliaj. 

Para Gjykatës Bode ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se nuk është përfshirë në vrasjen e Papës. Sipas tij, e vetmja arsye se përse nuk është dorëzuar para autoriteteve në momentin që është shpallur në kërkim ka qenë fakti që nuk ka besim te Policia. 

"Do sjell dëshmitarë që nuk kam lidhje me vrasjen e Edmond Papës! Nuk jam dorëzuar s’e skam pasur besim te policia! Do bëj kallëzim ndaj tyre," tha Bode.

Vrasja e Edmond Papës

Edmond Papa u ekzekutua pasditen e 16 dhjetorit 2022 në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Papa jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit.

Albano Velo dhe Andrew (Edvin) Bode janë identifikuar nga Policia e Shtetit si dy personat që kanë planifikuar dhe vrarë biznesmenin Edmond Papa. Velo ka pasur rolin e vëzhguesit, ndërsa Bode, atë të ekzekutorit. Vrasja e Papës dyshohet se është bërë si hakmarrje ndaj ekzekutimit të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, i cili u vra me shpërthim të eksplozivit në makinë. Velo është vënë në pranga, ndërsa po hetohet dhe babai i tij, Dilaver Velo, i cili ishte punonjës policie në Komisariatin nr.4 në Tiranë, por pas përfshirjes së djalit në këtë ngjarje, u shkarkua. 

andrew bode edmond papa

Sondazh

Poll