Politike

Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend: Kriminaliteti më i lartë në Vlorë, problematikë vakancat e prokurorëve dhe dosjet e mbartuara

Çela u ndal edhe tek pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara përgjatë vitit 2023, ku tha se është kryer konfisikimi për 19 pasuri të paluajtshme dhe rreth 500 mijë eurove.

15 Korrik 2024, 11:09 Nga r.ll
Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend: Kriminaliteti
olsian cela

TIRANË- Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela po raporton punën e vitit 2023 në seancën e sotme plenare në Kuvend. Çela theksoi si problematikë vakancat e prokurorëve, të cilët përballen edhe me ngarkesë të shtuar.  Ai tha se ka një mungesë të prokurorëve me 38%. Pra, në vitin 2023 prokuroritë kanë pasur 198 prokurorë kundrejt numrit organik prej 321.

“Përgjatë vitit 2023 në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 38 % të prokurorëve (rivlerësimi kalimtar). Megjithë problemet e krijuara nga këto mungesa të theksuara në organikë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë ushtruar me përgjegjësi kompetencat bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, rekomandimet e institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe në prioritetet e shtetit shqiptar që rrjedhin nga procesi i integrimit me Bashkimin Europian”, tha Çela.

Lidhur me çështjen e kriminalitetit, prokurori u shpreh se qarku me nivelin më të lartë është Vlora, ndërsa me më të ulëtin është Dibra. Ai tha se evidentohet se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara.

"Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2023 është 872, ndërsa në vitin 2022 koefiçenti i kriminalitetit ka qenë 920. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë. Ndër grupveprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31,71 %, por me një ulje 1,54 % krahasuar me vitin 2022; veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 23,64 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 16.39 % krahasuar me vitin 2022; sërish me një tendencë ulje të ndjeshme si në vitin e kaluar; veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes  6,2%, me një ulje prej 4.68 % në krahasim me vitin 2022.", tha Prokurori i Përgjithshëm.

Çela u ndal edhe tek pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara përgjatë vitit 2023, ku tha se është kryer konfisikimi për 19 pasuri të paluajtshme dhe rreth 500 mijë eurove.

"Rezulton se janë sekuestruar rreth 97 prona të paluajtshme, 16 340 m2 truall, 28 746 m2 arë, 11 llogari bankare në vlerën rreth 2,53 milionë euro dhe 434 milionë lekë, në total rreth 6.87 milionë euro etj. Ndërkohë është kryer konfisikimi për 19 pasuri të paluajtshme dhe rreth 500 000 euro", tha Çela. 

Raporti i plotë për veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme për Vitin 2023

 

olsian çela seance plenare 15 korrik 2024 prokurori i pergjithshëm

Sondazh

Poll