Politike

Fredi Beleri lë qelinë e burgut në Fier, betohet nesër në Strasburg si eurodeputet (FOTO)

Ai është pritur në hyrje të ambienteve të burgut nga familjarë dhe makina e ambasadës greke.

15 Korrik 2024, 07:18 Nga r.ll
Fredi Beleri lë qelinë e burgut në Fier, betohet nesër
fredi beleri duke dale nga burgu

FIER- Ish-kryebashkiaku i Himarës, njëkohësisht eurodeputet, Fredi Beleri ka lënë mëngjesin e sotëm ambientet e burgut të Fierit, pasi do të kryejë betimin në Strasburg.

Siç shihet nga fotot, Beleri ka dalë nga porta kryesore e burgut të Fierit, atje ku po vuan 2 vite burg nën akuzën e blerjes së votave në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit të vitit të kaluar. Ai është pritur në hyrje të ambienteve të burgut nga familjarë dhe makina e ambasadës greke.

Për median greke ai ka pohuar se ishte shumë i lumtur, ndërsa i shprehu falënderime atyre për mbështetjen e dhënë në kaq muaj, duke raportuar lajme për të. “Jam i lumtur e ju falënderoj për mbështetjen që me keni dhënë për kaq muaj, të tjerat do t’i them në Athinë. Për median shqiptare, do të flas në aeroport.”, tha Beleri.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, për largimin e tij të përkohshëm u ndoq kjo procedurë:

"Pas kërkesës së të dënuarit Dhionisis (Alfred) Beleri për leje shpërblyese në funksion të ndjekjes së punimeve në Parlamantin Europian në datat 15-20 korrik 2024 në Strasburg, referuar Urdhërit të Drejtorit të Përgjithshëm nr. 733 prot, datë 04.06.2024 “Për përbërjen dhe funksionimin e Bordit të Monitorimit të dhënies së lejes shpërblyese dhe të veçanta për të burgosurit në IEVP” është dhënë leje shpërblyese për të dënuarin Dhionisis (Alfred) Beleri nga data 15 korrik deri në 20 korrik 2024. Pas përfundimit të lejes pesë ditore, i dënuari Alfred Beleri do të kthehet në burgun e Fierit për të vazhduar kryerjen e dënimit, sipas vendimit të GJKKO."

Fredi Beleri u zgjodh eurodeputet i kandiduar nga Demokracia e Re në zgjedhjet europiane të 9 qershorit. Pas dënimit nga Apeli me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi Belerit mandatin e të zgjedhurit si kryetar bashkie në Himarë dhe më pas presidenti i Republikës shpalli zgjedhjet e pjessmeshme për kreun e kesaj bashkie më 4 gusht të këtij viti.

fredi beleri strasburg burgu i fierit

Sondazh

Poll