Aktualitet

Inceneratori i Tiranës/ Misteri i arrestimeve, kush e ndryshoi kërkesën e SPAK?

Prokurori i çështjes që ka kërkuar masat e sigurisë është Dritan Prenci, ndërsa janë firmosur nga gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka. Urdhërarrestet e sotme janë lëshuar për Denisa Tollkucin, Dashamir Ymeraj dhe për tre shtetas të huaj.

13 Korrik 2024, 17:46 Nga Dosja.al
Inceneratori i Tiranës/ Misteri i arrestimeve, kush e ndryshoi
foto ilustruese

TIRANË- Ditën e sotme Prokuroria e Posaçme ka firmosur një grup të dytë urdhëarrestesh lidhur me aferën e Inceneratorit të Tiranës. Në lidhje me këto fletëarrestime nuk ka asnjë konfimim dhe asnjë vënie në pranga. Prokurori i çështjes që ka kërkuar masat e sigurisë është Dritan Prenci, ndërsa janë firmosur nga gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka. Urdhërarrestet e sotme janë lëshuar për Denisa Tollkucin, Dashamir Ymeraj dhe për tre shtetas të huaj. Por asnjë nga urdhërarrestet nuk është ekzekutuar pasi personat nuk u gjetën gjatë operacionit të SPAK. Ndaj tyre raportohet se është ngritur akuza "pastrim i parave" dhe "grup i strukturuar kriminal". 

Më 26 qershor u raportua fillimisht se Prokuroria e Posaçme (SPAK) kishte lëshuar 19 masa sigurie të reja, mes të cilave edhe urdhër-arreste për aferën e inceneratorit të Tiranës. Masat e sigurisë ishin kërkuar nga prokurori i SPAK, Dritan Prençi për disa shtetas, teksa mes tyre asokohet raportohet se ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Po ashtu, mes masave të sigurisë së kërkuara nga SPAK janë edhe personazhe publik, si dhe personazhe të botës së medias, si dhe përfitues të parave të inceneratorëve. Ende nuk dihen emrat konkretë të personave për të cilët SPAK ka lëshuar masa sigurie. Por asnjë arrestim nuk u konkretizua nga këto urdhërarreste të lëshuara, që siç duket janë anulluar për tu rinjoftuar sërish pas 18 ditësh. Edhe në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, SPAK lëshoi 15 urdhër-arrestet e para për inceneratorin e Tiranës, ku mes tyre ishin Lefter Koka dhe Alqi Bllako, të cilët ndodheshin në burg, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të cilët vijojnë të jenë ende në kërkim, teksa emri i rëndësishëm i vetëm që u arrestua në atë kohë ishte drejtori i Punëve Publike Taulant Tusha.

Edhe sot po ashtu nuk ka asnjë arrestim sepse personat ndaj të cilëve u lëshuan urdhërarrestet nuk u gjendën. Reagimet lidhur me këtë kanë ardhur nga opozita, ku anëtari i kryesisë së PD-së Belind Këlliçi shkruan se  se gjyqtarja Irena Gjoka të cilën e cilëson si "kamikazja me 3 mbiemra", pasi i dha dy javë kohë grupit kriminal të inceneratorit ka firmosur sot diskretitimin final të SPAK. Ai akuzon Gjokën për dekonspirim të operacionit të SPAK. Më tej shton se "pronari faktik i inceneratorit vijon promovimin e pyllit orbital", duke iu referuar kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt! 

Edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha thotë se po zhduken dokumente dhe po anullohen fletë-arreste në SPAK lidhur me aferën e inceneratorit të Tiranës. Berisha ka publikuar denoncimin e një qytetari dhe shkruan se janë zhdukur dokumentat që kanë ardhur nga Bullgaria për kompaninë “Gogla” të vëllait të Erion Veliaj dhe të tjerëve, që provojnë se vodhën miliona euro nga djegësi i Tiranës.

Ngelet mister se kush i ka reduktuar numrin e urdhër arresteve, ndërsa po ashtu nuk dihet nëse në rastin më të mire ekziston një vendim gjykate i pazbardhur apo jemi përballë një skandali tjetër po aq të madh sa afera për të cilën po lëshohen këto fletë arreste. Mosreagimi i SPAK në të dyja rastet ngre dyshimet mos këta urdhërarreste po anullohen nga vetë Prokuroria e Posaçme si rrjedhojë e ndërhyrjeve nga pushteti. Ndërkohë pritet që të gjitha këto dilema të kenë një sqarim në vazhdim nga SPAK, e cila minimum që duhet të bëjë është transparenca.

inceneratori i tiranes spak

Sondazh

Poll