Politike

“Mos i falni më"/ Rama për Opozitën: Braktiseni në vetminë e ujërave të zeza

Por ka shtuar se Opozita do të marrë përgjigjen e saj në zgjedhjet e vitit 2025. 

4 Qershor 2024, 14:24 Nga I.A
“Mos i falni më"/ Rama për Opozitën: Braktiseni
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka komentuar pjesën e dytë të reportazhit të RAI3 mbi krimin në Shqipëri dhe me këtë rast ka sulmuar dhe opozitën. Me anë të një video-mesazhi në Facebook, Rama i është drejtuar qytetarëve shqiptarë që të mos e falin më opozitën. Ndërkohë që i ka bërë thirrje atyre që t'i braktisin përgjithnjë në vetminë e ujërave të zeza. Por ka shtuar se Opozita do të marrë përgjigjen e saj në zgjedhjet e vitit 2025. 

"Tani unë nuk kam asgjë më shumë me palën italiane, me gazetarin italian jo e jo, ai erdhi më mori një intervistë, shërbeu dhe iku. Ua thashë në mes të Italisë që ditën e parë se çfarë ishte ai pseudo-investigimi i tyre, nuk lashë hapësirë e shteg në mediat e vendit mik pa ua përplasur syve të vërtetat dhe siç e patë, jo vetëm nuk iu shmanga ballafaqimit, po e postova të pacensuruar në këtë faqe. Sepse po të kisha gjëra për t’u shmangur apo pyetje për t’u sikletosur, nuk rrija në këmbë për të udhëhequr Shqipërinë, po ikja ulesha në bisht tek bahçja e shtëpisë. Unë e kam me të gjithë shqiptarët e zakonshëm dhe e kam të thjeshtë fare: 

Mos i falni më! Braktisini përgjithnjë në vetminë e ujërave të zeza të politikës së tyre. Shumica që i ka braktisur prej kohësh duhet të bëhet gati për t’i shkatërruar fare me votë në ditën e afërt të gjykimit popullor. Pakica që ende nuk i ka braktisur, është në të drejtën e Zotit të mos bashkohet me shumicën nëse nuk do, po jo të vejë më pas tyre, sepse ata nuk i duhen as dreqit, jo më Shqipërisë! Ata janë mishërimi i shpirtit të së keqes që po del nga jeta e Shqipërisë, duke u çjerrë në përpëlitjet e fundit. Ky vend ka kry punë me atë shpirt të keq që e persekuton qysh prej vitit 1912. Shqipërinë nuk e ndal më asgjë dhe nuk ia përcakton më të ardhmen askush, përveç nesh, shqiptarëve. Kokën lart dhe vetëm përpara," tha Rama.

edi rama

Sondazh

Poll