Bota

7 mars/ Kurti takohet me mësuesen e tij të parë: Ka dhënë një kontribut të pamatshëm

Kurti u shpreh se mësuesja e parë e tij ishte kombinimi i përsosur i disiplinës dhe dashurisë dhe se ajo ka dhënë një kontribut të pamatshëm.

7 Mars 2024, 13:59 Nga N.F
7 mars/ Kurti takohet me mësuesen e tij të parë: Ka
Kurti dhe mësuesja e parë e tij

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar të gjithë mësuesit në kuadër të 7 Marsit. Ditën e sotmë ai ka vizituar famijen mësueses së tij të parë, Nafije Dobruna Deva.

“Në mëngjesin e sotëm isha për vizitë te familja Dobruna në Gjakovë, në shtëpinë në të cilën është lindur mësuesja ime e parë Nafije Dobruna Deva. Evokuam kujtime të shumta e të paharrueshme me vajzën e mësueses, Afërditën, në këtë shtëpi të vjetër më shumë se dy shekuj, e ku tani banon kolegu im nga qeveria, Agon Dobruna, zëvendësministër i Financave, Punës dhe Transfereve”, u shpreh kështu Kurti në Facebook.

Kurti u shpreh se mësuesja e parë e tij ishte kombinimi i përsosur i disiplinës dhe dashurisë dhe se ajo ka dhënë një kontribut të pamatshëm.

“Mësuesja Nafije ishte kombinimi i përsosur i disiplinës dhe dashurisë: sado nxënës i mirë të kesh qenë, asnjë pesëshe nuk ka qenë e kollajshme. Ajo ka dhënë një kontribut të pamatshëm për arsimimin, edukimin e formimin tim, krahasueshëm me nënën time,” shkruan Kurti.

“Jeta e saj ka qenë e vështirë. Babai, Ismaili, i internuar për dy vjet në burg në Vjenë si NDSh-ist gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas së cilës bie në varfëri meqë pushteti i atëhershëm ia rrëmben pasurinë. Ai vdes pak vjet më pas. Nëna, Qazimja i rrit pesë fëmijë jetim. Më e madhja, Nafija, e mbaron Shkollën Normale dhe bëhet mësuese”.

Kurti tregoi edhe çfarë i dhuroi vajzës së mësueses së tij.

“Përveçse një buqetë me lule, Afërditës ia dhurova fotografinë e klasës I/4 me mësuesen Nafije, nga qershori i vitit 1982. Mandej nga klasa e dytë fotografitë zënë e bëhen me ngjyra. Falënderoj familjen Dobruna për mikpritjen e përzemërt në Ditën e Mësueses. Urime të gjithë mësimdhënësve 7 Marsi!” shkruan Kurti.

7 mars kosove kurti

Sondazh

Poll