Aktualitet

Hidrocentrali i Skavicës, Gjykata Kushtetuese: Banorët nuk provuan cenimin e identitetit kombëtar 

Gjykata Kushtetuese thotë se kërkuesit nuk kanë arritur të përcaktojnë cenimin e identitetit kombëtar, në drejtim të trashëgimisë kulturore dhe pasurore, si dhe të së drejtës për një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm në këndvështrim të standardeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar.

2 Mars 2024, 15:42 Nga M.B
Hidrocentrali i Skavicës, Gjykata Kushtetuese: Banorët nuk provuan
Foto ilustruese

TIRANA- Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të plotë vendimin e arsyetuar për ankesën e banorëve të Dibrës mbi ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Gjykata Kushtetuese thotë se kërkuesit nuk kanë arritur të përcaktojnë cenimin e identitetit kombëtar, në drejtim të trashëgimisë kulturore dhe pasurore, si dhe të së drejtës për një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm në këndvështrim të standardeve ndërkombëtare të pranuara nga shteti shqiptar. Për këtë arsye, anëtarët e Gjykatës vlerësojnë se ligji, objekt shqyrtimi, është ende në fazën e parë të zbatimit të tij, që përfshin aktivitetet paraprake të punës në lidhje me projektimin dhe ndërtimin e HEC-it të Skavicës.

Ndaj, në këtë fazë sipas Kushtetueses, banorët nuk kanë arritur të provojnë cenimin e këtyre të drejtave. Ashtu siç ka dalë edhe më herët, i vetmi argument i banorëve që është pranuar nga Gjykata Kushtetuese, është mungesa e konsultimit publik të qeverisë me banorët, duke theksuar se është bërë në shkelje të së drejtës për informim për gjendjen e mjedisit dhe mbrojtjen e tij. Gjykata thekson detyrimin që kanë autoritetet publike të përfshira për të zbatuar nenin 8 të Konventës së Aarhusit për të garantuar pjesëmarrjen e publikut gjatë gjithë fazave të procesit të projektimit dhe ndërtimit të projektit të HEC-it të Skavicës, si dhe për të marrë në konsideratë rezultatet e procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur.

“Në këtë drejtim, Gjykata thekson rëndësinë e ushtrimit efektiv të së drejtës për të marrë informacion të plotë, në veçanti nga publiku që rrezikon të preket nga realizimi i projektit, për të dhënat që do të mblidhen në përfundim të fazës së parë nga autoritetet e përfshira; aktet e hartuara deri tani; veprimtaritë konkrete të realizuara dhe që priten të realizohen; natyrën e vendimeve të marra ose që mund të merren dhe autoritetin publik përgjegjës për marrjen e tyre; procedurën e parashikuar për masat që do të ndërmerren; kohën dhe vendin e mbledhjeve publike dhe mundësinë e publikut për të marrë pjesë; studimet e kryera dhe raportet e hartuara; gjetjet në lidhje me efektet e mundshme të projektit; masat e parashikuara për pakësimin e këtyre efekteve; vendimmarrjen në lidhje me projektin dhe arsyet mbi të cilat është bazuar kjo vendimmarrje, si dhe në lidhje me vijueshmërinë e fazës së dytë të projektit”, thuhet në vendim.

skavica gjykata kushtetuese

Sondazh

Poll