Aktualitet

Akuzohen për korrupsion/ SPAK mbyll hetimet, dërgon për gjykim tre zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe dy mjekë

Genci Hicka, Ilir Nishani dhe Gersion Tafa akuzohen për veprën penale "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike". 

12 Shkurt 2024, 11:21 Nga r.ll
Akuzohen për korrupsion/ SPAK mbyll hetimet, dërgon për gjykim
spak

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e tre zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit dhe dy mjekëve

Genci Hicka, Ilir Nishani dhe Gersion Tafa akuzohen për veprën penale "Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike". Ndërkohë, dy mjekët Balloma dhe Baçi do gjykohen për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në janar të 2020, mjeku Kostandin Balloma dhe Besim Boçi kallëzuan në SPAK 3 inspektorët. Sipas mjekëve, Hicka, Tafa dhe Nishani ishin inspektor të Ministrisë së Mjedisit, dhe i kishin kërkuar klinikës ku punonin Balloma dhe Boçi, 30 mijë lekë për mos ta gjobitur për trajtimin e mbetjeve spitalore. Dy mjekët u morën gjithashtu të pandehur pasi ishin personat të cilët dhanë paratë për të mos u gjobitur.  

NJOFTIMI I SPAK: 

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 29.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal me Nr. 84, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve Genci Hicka, Ilir Nishali dhe Gerson Tafa, të cilët akuzohen për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal, si dhe në ngarkim të të pandehurve Konstandin Balloma dhe Besim Boҫi të cilët akuzohen për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 244 paragrafi 1 dhe 25 i Kodit Penal.

2. Në seancën e datës 12.02.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (seanca paraprake) me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, pasi shqyrtoi pretendimet e palëve, me vendimin Nr. 39 Regjistri Themeltar, datë 12.02.2024 vendosi:

1.Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

2.Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal me Nr. 84, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:
Genci Hicka, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal;
 Ilir Nishani, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal;
 Gersion Tafa, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 259 dhe 25 i Kodit Penal;
 Konstandin Balloma, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 244 paragrafi 1 dhe 25 i Kodit Penal;
 Besim Boҫi, i cili akuzohet për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 244 paragrafi 1 dhe 25 i Kodit Penal;

3. Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankim.

Tiranë, më datë 12.02.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

spak

Sondazh

Poll