Sport

ZYRTARE/ Mesfushori Kalvin Phillips huazohet nga Man.City te West Ham...

Ndërkombëtari anglez është huazuar deri në fund të sezonit

26 Janar 2024, 16:49 Nga DOSJA

ZYRTARE/ Mesfushori Kalvin Phillips huazohet nga Man.City te West Ham...

ANGLI - Ndërkombëtari anglez Kalvin Phillips është huazuar nga Manchester City te West Ham deri në fund të sezonit, njoftuan klubet e Premierligës në faqet e tyre të internetit këtë të premte.

"Ne e kemi admiruar atë për një kohë të gjatë dhe besojmë se ai do të sjellë forcë dhe konkurrencë në ekipin tonë,"- komentoi trajneri David Moyes, cituar në një deklaratë për shtyp të West Ham.

Mesfushori 28-vjeçar i Mançester Cityt, nuk ka arritur kurrë të imponohet te kampionët aktualë të Anglisë dhe Evropës, që kur iu bashkua klubit në korrik 2022, pas tetë sezonesh në Leeds.

"Kalvin është një mesfushor ndërkombëtar anglez me përvojë të dëshmuar në Premier League. Ne jemi të kënaqur që e mirëpresim atë në grup dhe presim me padurim të punojmë me të,"- shtoi David Moyes.

Phillips mori pjesë në vetëm 31 ndeshje në rreth 18 muaj me Citizens dhe nuk e ka nisur kurrë këtë sezon si titular në Premier League, pasi ka qenë atje vetëm dy herë sezonin e kaluar. “Unë e shikoj skuadrën dhe e kam pak të vështirë ta shoh atë në të”, pranoi trajneri i Manchester City, Pep Guardiola në mes të dhjetorit 2023.

Me kalimin në West Ham dhe me mundësinë për të qenë titullar, Phillips mund të rrisë kohën e tij të lojës dhe të mos humbasë shpresën për t'u thirrur për “Euro 2024”, në Gjermani. Pavarësisht pengesave te Manchester City, Kalvin Phillips vazhdoi të thirrej nga trajneri i Anglisë, Gareth Southgate.

West Ham, mbajtës i trofeut të Conference League, ka një opsion për ta blerë mesfushorin në fund të huazimit, sipas mediave britanike.

Pas 21 xhirove, West Ham është në vendin e gjashtë në Premier League, me 35 pikë, pesë pas Tottenhamit (i pesti), ndërsa Manchester City është i dyti, me 43, pesë pas liderit Liverpool, por me një ndeshje më pak.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll