Politike

"Kjo është një betejë e të gjitha betejave", Berisha: Ne për votën do t’i marrim kokën çdo armiku të votës sonë

Berisha tha gjithashtu se Rama ka përdorur grupe të organizuara kriminale kundër opozitës. 

24 Janar 2024, 18:57 Nga r.ll
"Kjo është një betejë e të gjitha betejave",
sali berisha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, ka nisur fjalimin e radhës për mbështetësit e mbledhur poshtë banesës.  Berisha ka falenderuar dhe shprehur mirënjohjen për të gjithë qytetarët e pranishëm.

Ai akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama pë vjedhje të votës. Berisha tha gjithashtu se Rama ka përdorur grupe të organizuara kriminale kundër opozitës. 

FJALA E BERISHËS:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta. Nderimin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme. Prania juaj sonte, fjalimet e bukura, gjithçka janë një frymëzim i madh për Sali Berishën dhe çdo shqiptar që ndjek këtë protestë në Rrugën e Shpresës, në rrugën e fitores. Po bëhen mbi tre javë që ju çdo natë lini çdo gjë dhe mblidheni këtu për të dhënë mesazhin e luftëtarit të pamposhtur, e qytetarit dinjitoz, e misionarit të vërtetë se do të shpëtojmë Shqipërinë, se diktatura e krimit, drogës dhe vjedhjes nuk do të mund të sundojë më gjatë në Shqipëri.
Të dashur miq!

Të gjitha zhvillimet e shpejta kanë pasur dhe kanë një shkak themelor: Edi Rama, i cili qëndron në pushtet mbi votën e vjedhur, mbi vullnetin e shtypur, mbi vullnetin e kontrolluar të qytetarëve shqiptarë, e kuptoi, e realizoi se me Sali Berishën, me PD-në, zgjedhje të tjera nuk do të mund të bënte kurrë në jetën e tij.

Ka pasur kohë që kjo parti është përballur me dhunues zgjedhjesh, është përballur me banda, por ajo kohë, në atë kohë kjo parti doli me një moto: kush prek votën, prek kokën! Edi Rama e mbante mend atë kohë, Edi Rama e kuptoi se ne për votën ishim dhe mbetemi të gatshëm për çdo sakrificë. Se ne për votën, kemi vetëm himnet e lirisë. Se ne për votën, do t’i marrim kokën çdo armiku të votës sonë.

Edi Rama, Rruga e Shpresës, banorët e saj, demokratët dhe populli opozitar, të kanë dënuar ty për kufomë politike.
Mos mendo më kurrë se do mund të vazhdosh pushtetin tënd të krimit. Ke zgjedhur rrugën e burracakut, e hajdutit, e frikacakut.

Ke përdorur mercenarë, ke përdorur grupe të organizuara kriminale në institucionet tua. I ke ndërsyer ata si cackej kundër opozitës. Por opozita nuk mund të mposhtet, aq sa mund të mposhtet e drejta e një kombi për të votuar i lirë. Aq sa mund të mposhtet e drejta e një qytetari për të jetuar me dinjitet dhe në liri. Aq sa mund të mposhtet e drejta e një qytetari për të pasur në dorë fatin e tij dhe të vendit të tij. Kjo është një betejë e të gjitha betejave!

sali berisha

Sondazh

Poll