Politike

Reforma zgjedhore/ OSBE-ODIHR: Nxisim të gjitha palët që të angazhohen për konsultime të hapura

OSBE/ODIHR-i ka marrë një ftesë nga parlamenti shqiptar për të mbështetur autoritetet kombëtare dhe ka ofruar të japë mbështetje dhe ekspertizë teknike për të çuar përpara procesin e reformës.

24 Janar 2024, 10:13 Nga N.F
Reforma zgjedhore/ OSBE-ODIHR: Nxisim të gjitha palët që të
Foto ilustruese

VARSHAVË- Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR) së fundmi është shprehur se nisma e autoriteteve shqiptare për të rifilluar reformën zgjedhore në vend, përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025 është një zhvillim i rëndësishëm dhe pozitiv.

“Ne mirëpresim vendimin e autoriteteve shqiptare për të ripërtërirë angazhimin e tyre ndaj këtyre reformave jetike, kaq kohë përpara zgjedhjeve. I nxisim të gjitha palët që të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse në muajt në vijim, duke siguruar që reformat që do të pasojnë të përmirësojnë procesin zgjedhor për të mirën e të gjithë shqiptarëve,”  tha drejtori i OSBE/ODIHR-it, Matteo Mecacci. 

Drejtori i misionit Matteo Mecacci thekson po ashtu se kjo reformë është jetike për procesin zgjedhor dhe si e tillë kërkon vendosjen e objektivave dhe zbatimin e rekomandimeve nga ana e forcave politike.

"Është e një rëndësie vendimtare që të vendosen objektiva praktikë dhe realisht të arritshëm, që fokusohen në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të OSBE/ODIHR-it dhe në adresimin e mangësive të vërejtura gjatë zgjedhjeve të kaluara, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ndër përparësitë kryesore janë parandalimi i keqpërdorimit të burimeve publike dhe shitblerja e votës, sigurimi i fshehtësisë së votës, mbrojtja e lirisë së medias dhe rritja e efektivitetit të administratës zgjedhore," shtoi më tej ai.

OSBE/ODIHR-i ka marrë një ftesë nga parlamenti shqiptar për të mbështetur autoritetet kombëtare dhe ka ofruar të japë mbështetje dhe ekspertizë teknike për të çuar përpara procesin e reformës. Misioni më i fundit i vëzhgimit i ODIHR-it në Shqipëri, në vitin 2023, vlerësoi ndjekjen e rekomandimeve të tij pas zgjedhjeve vendore 2019 dhe zgjedhjeve parlamentare të 2021. Raportet arritën në përfundimin se 3 rekomandime ishin zbatuar plotësisht, 7 të tjera në pjesën më të madhe, 16 pjesërisht, ndërsa të tjerat mbeten ende për t’u adresuar.

osbe/odihr shqiperi matteo mecacci

Sondazh

Poll