Aktualitet

I morën ryshfet furrës së bukës për rimbursimin e energjisë elektrike, vihen në pranga dy punonjës të OSHEE-së në Tiranë

Të arrestuarit janë 54-vjeçari me inicialet A. P. dhe 63-vjeçari me inicialet R. K.

23 Janar 2024, 13:07 Nga N.F
I morën ryshfet furrës së bukës për rimbursimin e
OSHEE

TIRANË- Dy punonjës të OSHEE-së janë vënë në pranga pasi kanë marrë rryshfet nga një furrë buke. Të arrestuarit janë 54-vjeçari me inicialet A. P. dhe 63-vjeçari me inicialet R. K. Ata akuzohen për veprën penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike". Policia ka sekuestruar 500 000 lekë dhe 3 celularë.

Njoftimi i plotë:

Tiranë/ Në lidhje me rastin e transmetuar mbrëmë, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, që bënte fjalë për 2 punonjës të OSHEE-së, të cilët i kanë marrë shuma të ndryshme parash, një shtetasi, me qëllim rimbursimin e energjisë elektrike dhe ndryshimin e tarifimit për subjektin e tij (furrë buke), ju bëjmë me dije se:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që shfaqen në video.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë arrestuan shtetasit: A. P., 54 vjeç dhe R. K., 63 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 500 000 lekë dhe 3 celularë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon emisionin investigativ "Fiks Fare", mediat dhe qytetarët, që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

oshee

Sondazh

Poll