Politike

Çështja Beleri, Rama përshëndet vendimin e GJKKO-së: Refuzimi i gjykatës për betimin mëse i kuptueshëm

Ndërkohë që shton se arsyetimi i vendimit është çështje e drejtësisë dhe jo e politikës apo e organeve të qeverisë qendrore.

21 Dhjetor 2023, 15:16 Nga I.A
Çështja Beleri, Rama përshëndet vendimin e GJKKO-së:
Edi Rama dhe Fredi Beleri

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për të mos dhënë leje që Fredi Beleri të kryej betimin si kryebashkiak në Himarë. Me anë të një postimi në X, Rama shkruan se vendimi i GJKKO-së është ligjor dhe mëse i kuptueshëm. Ndërkohë që shton se arsyetimi i vendimit është çështje e drejtësisë dhe jo e politikës apo e organeve të qeverisë qendrore. Po ashtu Rama thekson se kandidati socialist që vazhdon qëndron në detyrë në mënyrë të paligjshme, duhet që të lërë zyrën.

Postimi i Plotë:

Nga leximi i vendimit të arsyetuar të GJKKO mbi mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, shoh të udhës të nënvizoj publikisht sa më poshtë: 1. Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm. 2. Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm. 3. Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës. Si përfundim, ky vendim i arsyetuar i GJKKO është një konfirmim i padiskutueshëm ligjor i “çështjes Beleri” si një çështje e drejtësisë, assesi e politikës apo kurrësesi e organeve të qeverisë qendrore. Po ashtu arsyetimi i këtij vendimi krijon një premisë pozitive për adresimin e ngërçit të lartpërmendur.

Kujtojmë se Fredi Beleri qëndron prej 7 muajsh në qeli nën akuzën për blerjen e votave dhe nga ana tjetër çështja e tij ka marrë vëmendje të posaçme nga qeveria greke, e cila e ka vendosur në prioritet të raporteve midis shtetit grek dhe atij shqiptar. 

edi rama fredi beleri

Sondazh

Poll