Bota

Lavrov për Blinken dhe Borrell: Janë frikacakë, u larguan nga Shkupi për të shmangur përballjen

Blinken dhe Borrell udhëtuan për në Shkup të mërkurën pasdite ku qëndruan për disa orë dhe më pas u larguan, i pari për në Izrael, i dyti për në Bruksel, pak para se Sergej Lavrov të arrinte në Shkup.

1 Dhjetor 2023, 21:54 Nga A.TH
Lavrov për Blinken dhe Borrell: Janë frikacakë, u larguan nga
Sergei Lavrov

SHKUP- Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i quajti frikacakë sekretarin amerikan të shtetit Anthony Blinken dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell që nuk qëndruan në Shkup për të marrë pjesë në konferencën ministrore të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), e cila u zhvillua dje dhe sot në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.
Blinken dhe Borrell udhëtuan për në Shkup të mërkurën pasdite ku qëndruan për disa orë dhe më pas u larguan, i pari për në Izrael, i dyti për në Bruksel, pak para se Sergej Lavrov të arrinte në Shkup, raportojnë mediat e huaja.

“Kolegu im Blinken e shmangu konferencën, por unë jam këtu. Blinken është zhdukur, Borrell është zhdukur. Pse e bënë këtë? Ata ndoshta donin të theksonin qëllimin e tyre për të izoluar Rusinë, por unë mendoj se ata vepruan thjesht si frikacakë. Ata kishin frikë nga çdo bisedë e sinqertë e bazuar në argumente”, tha Sergej Lavrov në një konferencë për media sot në Shkup.

Përfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter, duke komentuar deklaratat e Lavrov vuri në dukje se Rusia mbetet e izoluar në OSBE dhe askush nuk e mbështet sulmin e saj ushtarak ndaj Ukrainës.

"Askush nuk dëshiron të dëgjojë gënjeshtrat, dezinformatat dhe propagandën e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov”, shtoi Carpenter.

Ministrat e Jashtëm apo përfaqësuesit e 57 vendeve të OSBE-së që morën pjesë në këtë konferencë vendosën sot unanimisht që Malta të marrë presidencën e Organizatës për vitin 2024. Fillimisht, vetëm Estonia kishte aplikuar për të marrë kryesimin e OSBE-së në vitin 2024, por Rusia vuri veton për shkak se vendi baltik fajëson Moskën për luftën në Ukrainë. Në fund, Malta u zgjodh të kryesojë Organizatën për vitin e ardhshëm.

sergei lavrov osbe

Sondazh

Poll