Sport

“Do të pres deri në minutën e fundit ofertën e Realit për rinovimin e kontratës”

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, nuk e ka përjashtuar mundësinë për të drejtuar kombëtaren e Brazilit verën e ardhshme dhe ka lënë të kuptohet se e ardhmja e tij do të qartësohet “së shpejti”.

26 Nëntor 2023, 11:03 Nga DOSJA
“Do të pres deri në minutën e fundit ofertën e Realit

SPANJE - Carlo Ancelotti, kontrata e të cilit me Real Madrid skadon në qershor 2024, këmbënguli se ai është i lumtur në “Santiago Bernabeu”, por shtoi se është i nderuar që emri i tij është i lidhur për të drejtuar ekipin kombëtar të Brazilit.

Presidenti i Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF) pranoi në fillim të këtij viti se trajneri italian do të ishte një zgjedhje e qartë për rolin e trajnerit federal të Seleção-s, ndërsa Rodrigo dhe Vinicius Junior gjithashtu, siç parashikohej, i kanë dhënë një votë besimi trajnerit italian me përvojë.

Trajneri i Fluminense, Fernando Diniz, aktualisht është trajneri kujdestar i Brazilit, i cili u nda me Tite pas Botërorit të Katarit vitin e kaluar.

“Nuk po mendoj asgjë për këtë”,- tha Ancelotti, duke folur përpara udhëtimit të Realit në Cádiz të dielën, kur u pyet për Brazilin. “Jam krenar që një nga skuadrat më të mira në botë, si Brazili, është e lidhur me mua, kjo më jep krenari të madhe. Por unë kam një kontratë (me Real Madrid) deri më 30 qershor”.

Kur u pyet për të ardhmen e tij pas këtij sezoni, Ancelotti shtoi: “E përsëris, e ardhmja ime do të dihet së shpejti. Unë jam këtu për të paktën gjashtë muaj të tjerë. A pres deri në ditën e fundit të kontratës sime për një ofertë rinovimi nga Real Madridi? Po".

Ancelotti u vlerësua edhe nga ish-lojtari i tij te Real Madridi, Xabi Alonso, trajneri aktual i Bayer Leverkusen, i cili e cilësoi italianin si "mësues". Duhet theksuar se ish mesfushori i “mbretëreshës” thuhet se ka një klauzolë të posaçme lirimi posaçërisht për Realin, ku madrilenët e kanë veçuar atë si zëvendësuesin më të mundshëm të Ancelottit.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll