Sport

Rezultat zhgënjyes i Ballkanit ndaj Astanas në Kazakistan, epërsi por vetëm një pikë…

Ballkani ka barazuar 0-0, duke marrë vetëm një pikë në transfertë ndaj Astana, në kuadër të ndeshjes së katërt të fazës së grupeve në Conference League.

9 Nëntor 2023, 18:49 Nga DOSJA

Rezultat zhgënjyes i Ballkanit ndaj Astanas në Kazakistan, epërsi

KAZAKISTAN - Nëse Ballkani nuk do të kishte pësuar atë humbje 2-1 në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, do të flisnim ndryshe pas barazimit 0-0 në ndeshjen e sotme ndaj Astanas në Kazakistan.

Kampionët e Kosovës, në këtë ndeshje të katërt në grupin “C” të Conference League, ishin një skuadër tjetër, ata e dominuar nga fillimi deri në fund takimin, por mbeten të zhgënjyer nga rezultati, i cili më së paku duhej të ishte pozitiv për ta.

Qysh në minutën e katërt të ndeshjes, Ballkani rrezikoi me anë të Almir Kryeziut, por që goditja e tij ishte e plogësht dhe jashtë porte. Skuadra suharekase vazhdoi me një dominim të lehtë ndaj vendasve, duke kërkuar që të kalonte në epërsi.

Në minutën e 33-të, Kryeziu bëri një goditje që e detyroi portierin e Astanës të shpëtonte portën e tij. Gjithsesi, të dyja skuadrat shkuan në pushimin mes pjesëve pa treguar ndonjë rast të madh për gol.

Rezultat zhgënjyes i Ballkanit ndaj Astanas në Kazakistan, epërsi

Pas pushimit, loja ishte edhe më me ritëm, me Ballkanin që kërkon me ngulm golin e fitores. Në minutën e 50-të, Almir Kryeziu lëshoi një pasim te Nazmi Gripshi, por ky i fundit nuk arriti ta konkretizonte me gol.

Gripshi pati një mundësi të mirë shënimi edhe në minutën e 73-të, por goditja e tij shkoi ngjitur me shtyllën e djathtë. Rast pas rasti, Gripshi (82’) ishte afër të kalonte Ballkanin në epërsi, mirëpo Josip Condric bëri një ndërhyrje fantastike.

Ballkani nuk u ndal së sulmuari deri në minutat e fundit, por në fund iu desh të kënaqej vetëm me një pikë. Gabimi i një jave më parë në “Fadil Vokrri” nuk mund të zhbëhet…

Vikoria Plzen është kryesues i Grupit “C” me nëntë pikë, Astana dhe Ballkani ndjekin me nga katër dhe Dinamo Zagrebi mbyll renditjen me tri pike.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll