Sport

UEFA nuk fal, ndëshkon Bayern Munich, Galatasaray dhe AEK-un për fishekzjarret…

Bayern Munich, Galatasaray dhe AEK Athens janë gjobitur nga UEFA për shkak të sjelljes së keqe të tifozëve të tyre gjatë ndeshjeve të fundit të Champions League dhe Europa League.

21 Tetor 2023, 09:30 Nga DOSJA
UEFA nuk fal, ndëshkon Bayern Munich, Galatasaray dhe AEK-un për

ZVICER - Bayern Munich, Galatasaray dhe AEK Athens u sanksionuan nga UEFA këtë të premte për shkak të përdorimit të fishekzjarreve dhe mjeteve piroteknike nga tifozët e tyre gjatë ndeshjeve të fundit të Champions League dhe Europa League. Komiteti i kontrollit, etikës dhe disiplinës i organit evropian vendosi sanksione financiare kundër tre klubeve.

UEFA e gjobiti Bayernin me 40 mijë euro. Ajo kritikoi tifozët bavareze për hedhjen e objekteve dhe ndezjen e bombave tymuese më 3 tetor, gjatë fitores së Mynihut në Copenhagë në Champions League (1-2).

Galatasaray u gjobit me një shumë të ngjashme, 51.500 euro, pasi tifozët e tij hodhën objekte, ndezën bomba tymuese dhe shkaktuan dëme materiale në “Old Trafford”, më 3 tetor, gjatë fitores së Stambollit ndaj Manchester United (3-2), në Champions League.

Sakaq, AEK Athinës iu shqiptua një sanksion më i lartë, një gjobë prej 81.625 eurosh, pas incidenteve të vogla që ndodhën gjatë barazimit në shtëpi ndaj Ajax (1-1) më 5 tetor, në Europa League. Përveç hedhjes së objekteve dhe ndezjes së bombave tymuese, tifozët grekë ishin fajtorë për bllokimin e rrugëve publike dhe përdorimin e lazerit.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll