Politike

Sulmi në spitalin e Gazës/ Rama: Nuk ka asnjë justifikim, të hetohet dhe të zbulohen autorët

Sipas Ramës, nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore.

18 Tetor 2023, 10:25 Nga A.B
Sulmi në spitalin e Gazës/ Rama: Nuk ka asnjë justifikim, të
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një shkrimi në rrjetet sociale për sulmin në spitalin në Gazë, ku ndërruan jetë 500 persona. Kreu i Qeverisë shkruan se janë tronditëse pamjet e goditjes me bombë në spitalin Al-Ahli në Gaza. Sipas Ramës, nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore.

Ai shton se deklarata e kryeministrit Netaniahu se kjo masakër u krye nga vetë Hamasi është drithëruese nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese.

REAGIMI I RAMËS:

Është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e goditjes me bombë të spitalit Al-Ahli në Gaza, ku qindra e qindra njerëz u masakruan e humbën jetën. Sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken.

Nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore. Deklarata e kryeministrit Netaniahu se kjo masakër u krye nga vetë Hamasi është drithëruese, por nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese. Prandaj të gjitha faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit.

Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrënqethëse të gërmadha të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit. Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit! Por bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza.

Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme e detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit.

edi rama lufta izrael-palestine

Sondazh

Poll