Politike

'Policia e Kosovës ka të drejtën e veprimit'/ Rama dhe Vuçiç dalin në kundërshtim me SHBA-në: KFOR të marrë nën kontroll veriut e vendit

Kjo pasi si Vuçiç dy ditë më parë ashtu edhe Rama ditën e sotme kanë kërkuar që KFOR të marrë nën kontroll veriut e Kosovës. 

28 Shtator 2023, 17:04 Nga I.A
'Policia e Kosovës ka të drejtën e veprimit'/ Rama dhe
Edi Rama, Antony Blinken dhe Aleksander Vucic

TIRANË- Propozimi i Presidentit serb Aleksandër Vuçiç si dhe i kryeministrit Edi Rama për situatën në veri të Kosovës është kundër deklaratës së Sekretarit Amerikan të DASH Antony Blinken. Kjo pasi si Vuçiç dy ditë më parë ashtu edhe Rama ditën e sotme kanë kërkuar që KFOR të marrë nën kontroll veriut e Kosovës. 

"Përsërita pikëpamjen e Serbisë për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe Metohi dhe kërkova që (Forca e NATO-s në Kosovë) KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës në vend të policisë së Kurtit," deklaroi Vuçiç dy ditë më parë.

Ndërkohë që mendimin e vuçiç e përfurcoi Rama ditën e sotme në konferencën për mediat, ku një nga propozimet që bëri ishte që KFOR të ishte nën kontroll të veriut të Kosovës dhe jo Policia e Kosovës, që është institucioni përgjegjës për sigurinë e shtetit të pavarur të Kosovës. 

"KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Është një propozim që e kam bërë më parë, e kam bërë dhe në Samitin e NATO-s dhe e kam shpjeguar gjerë e gjatë pse. Tani, çdo hezitim dhe çdo vonesë, deri dhe në argumentin e orëve të fundit, jo kemi, jo s’kemi mjaftueshëm trupa mund ta bëjë largqoftë, ndërhyrjen e nesërme të KFOR-it shumë më të madhe në trupa, por edhe në vështirësi," tha Rama sot.

Por disa ditë më parë, Blinken duke reaguar për vrasjen e policit shqiptar nga terroristët serbë, ka theksuar se në krye të sigurisë në Kosovë është Policia e Kosovës dhe jo KFOR-i. Ai shtoi se SHBA-të njohin dhe respektojnë Policinë e Kosovës si reagimin e parë ndaj emergjencave. 

“Shtetet e Bashkuara njohin dhe respektojnë rolin e Policisë së Kosovës si reagimi i parë ndaj emergjencave dhe krizave”, tha Blinken ndër të tjera në reagimin që bëri.

Çfarë ndodhi në veri të Kosovës?

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur  kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë. Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se 4 sulmues u vranë. Tre trupat e serbëve u gjetën në të njëjtën ditë, ndërsa i katërti një ditë më vonë. Ndërkohë gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi.

edi rama aleksander vucic antony blinken tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll