Politike

Vrasja e policit shqiptar nga serbët në Kosovë, Boiken Abazi: Parlamenti t'i vendos sanksione Serbisë, të dënohet sulmi

Me anë të një postimi në Facebook, Abazi shkruan se në këtë mbledhje duhet që të vendos njëzëri dënimin e aksionit terrorist të Serbisë në Kosovë, kërkesë për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë si dhe ripozicionimin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi. 

26 Shtator 2023, 15:55 Nga I.A
Vrasja e policit shqiptar nga serbët në Kosovë, Boiken Abazi:
Boiken Abazi

TIRANË- Ish-Kryetari i Lëvizjes VetëVendosje në Shqipëri Boiken Abazi ka deklaruar se Parlamenti i Shqipërisë duhet që të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme për situatën në Kosovë. Me anë të një postimi në Facebook, Abazi shkruan se në këtë mbledhje duhet që të vendos njëzëri dënimin e aksionit terrorist të Serbisë në Kosovë, kërkesë për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë si dhe ripozicionimin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi. 

Postimi i Plotë:

Parlamenti i Republikës së Shqipërisë e ka për detyrim kushtetues të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme për situatën në Kosovë, për faktet që janë bërë publike për lidhjen e drejtpërdrejtë të Beogradit zyrtar dhe "Listës Serbe" në financimin, organizimin dhe furnizimin me armë për sulmet terroriste ndaj Kosovës, që janë drejtuar nga nënkryetari i Listës Serbe (siç u vërtetua dje dhe sot me dokumente dhe me pamje filmike), ndër personat më të afërt me Vuçiqin, terroristi Milan Radojiçiq - i shpallur "non-grata" edhe nga ShBA.
Është jetike që Parlameti i Republikës së Shqipërisë të vendos sa më parë dhe njëzëri:
1. Dënimin e aksionit terrorist të Serbisë në Kosovë.
2. Dënimin e tentativës për legjitimimin e terrorizmit të Serbisë me mashtrimet e Vuçiqit dhe propagandën e qeverisë së Serbisë.
3. Denoncimin e shpalljes së turpshme të ditëve të zisë nga shteti i Serbisë për nderimin e terroristëve serbë që sollën një arsenal të tërë armësh në Kosovë dhe vranë policin Afrim Bunjaku.
4. Kërkesën për caktimin e masave dhe sanksioneve ndaj Serbisë - një shtet gjenocidal i papenduar që vazhdon agresionin ndaj Kosovës dhe popujve të tjerë të rajonit.
5. Ripozicionimin e marrëdhënieve mes Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë!
Miqësia Rama-Vuçiq sot duhet të marrë fund! Republika e Shqipërisë ka një nevojë urgjente, si dhe një detyrim kushtetues dhe moral, që të veprojë pa humbur kohë.

boiken abazi tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll