Politike

Raporti i DASH për Shqipërinë, Tabaku: Qeveria të sigurojë politika fiskale pro biznes, sipërmarrësit të përfitojnë nga ekonomia e tregut dhe konkurrenca

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë, i cili renditi korrupsionin si një ndër problematikat kryesore që ndikon në klimën e investimeve në vendin tonë.

27 Korrik 2023, 13:49 Nga DOSJA
Raporti i DASH për Shqipërinë, Tabaku: Qeveria të
Jorida Tabaku

TIRANË- Deputetja demokrate Jorida Tabaku, ka shprehur qëndrimin e saj në lidhje me raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë, i cili renditi korrupsionin si një ndër problematikat kryesore që ndikon në klimën e investimeve në vendin tonë. Teksa analizon situatën në vendin tonë, Tabaku thotë që në krye të herës se është fakt që sipërmarrjet në vend hasin në një sistem të korruptuar që promovon monopole dhe oligarki, duke bërë këtë vend pak tërheqës për investitorët e huaj. 

Ajo thotë se ligji i investimeve strategjike favorizon vetëm një grup të vogël biznesesh lokale dhe jo investitorët e huaj. Në mesazhin e shpërndarë në rrjetet sociale, deputetja demokrate trumbeton me të madhe se Shqipëria ka nevojë për një qeveri që të sigurojë siguri dhe politika fiskale pro biznes për të tërhequr investitorët e huaj. Po sipas saj, sipërmarrësit strategjikë duhet të kenë mundësi të përfitojnë nga ekonomia e tregut dhe konkurrenca.

Postimi i plotë

Skaneri i investimeve dhe investitorëve sot bëhet nga raporti i DASH përtej çdo propagande qeveritare. Raporti është një realitet që e përjetojnë në terren bizneset e investitorët e huaj. Shqipëria ka përjetuar një rritje të numrit të investitorëve nga SHBA, por raporti i Departamentit të Shtetit vërteton se klima e biznesit dhe mikpritja e biznesit janë ende të vështira për shkak të problematikave të pazgjidhura për më shumë se një dekadë.

Fakt: Sipërmarrjet në vend hasin në një sistem të korruptuar që promovon monopole dhe oligarki, duke bërë këtë vend pak tërheqës për investitorët e huaj.

Fakt: Ligji Investimeve Strategjike favorizon vetëm një grup të vogël biznesesh lokale dhe jo investitorët e huaj.

Fakt: Skema e PPP-ve (Partneriteti Publiko-Privat) është ideuar për të shfrytëzuar buxhetin e shtetit për të përfituar të korruptuarit në qeveri dhe ortakët e tyre, dhe jo për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për qytetarët.

Fakt: Politikat fiskale nuk ndihmojnë sipërmarrjen dhe bizneset, por përkundrazi lehtësojnë monopolet dhe oligarkët, duke ngarkuar me tatime dhe taska 95% të bizneseve dhe shqiptarëve.

Fakt: Korrupsioni është një problem shqetësues, veçanërisht në prokurimet publike, dhe kjo situatë është vërtetuar nga raporti i Departamentit të Shtetit. Skemat e amnistisë fiskale përshkruhen si përfitime të paligjshme për të korruptuarit, duke ndikuar negativisht në qytetarët dhe sipërmarrjet e ndershme.

Shqipëria ka nevojë për një qeveri që të sigurojë siguri dhe politika fiskale pro biznes për të tërhequr investitorët e huaj. Sipërmarrësit strategjikë duhet të kenë mundësi të përfitojnë nga ekonomia e tregut dhe konkurrenca. Kjo do të ndihmonte në zhvillimin e vendit dhe në shfrytëzimin e mundësive ekonomike për të gjithë qytetarët dhe sipërmarrjet.

Nuk mund të sjellë ndryshim një qeveri dhe mazhorancë që ka sjellë këtë shkatërrim të sistemit e këtë mungesë gare e meritokracie. Prej dhjetë vitesh vazhdojnë të trajtojnë korrupsionin si një sajesë e opozitës, kur faktet flasin qartë dhe pastër për aferat që kanë përfshirë qeverinë.

Nuk mund të sjellë ndryshim një qeveri që refuzon propozimin e dërguar në Parlament nga Grupi Parlamentar i PD për të shpallur Luftën Kundër Korrupsionit si prioritet kombëtar dhe që refuzon të miratojë ligjet e propozuara nga ky grup kundër korrupsionit.

Lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë prioritet kombëtar dhe rikthimi i besimit te institucionet duhet të udheheqë çdo reformë ekonomike. Klima e biznesit me reforma që përmirësojnë tregun dhe luftojnë pastrimin e parave si dhe krijojnë një hapësirë monetare dhe tregtare me stardarte të BE duhet të jenë emergjenca.

Sondazh

Poll