Sport

Zhvillime te Dinamo! “Blutë” e kryeqytetit ndërrojnë stemën, fanelën dhe qytetin… Igli Tare do të rikonstruktojë gjithçka!

E bujshme: Klubi i Dinamos do të pësojë ndryshime të mëdha në organizimin dhe menaxhmin e tij

24 Korrik 2023, 17:49 Nga DOSJA

Zhvillime te Dinamo! “Blutë” e kryeqytetit ndërrojnë

TIRANE - Dinamo nis një epokë të re me rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. 18 herë kampionët e vendit kanë filluar nga puna për sezonin e ri dhe vijnë me ndryshime rrënjësore si në nivelin e drejtimit, edhe në atë të organizimit.

Klubi ka marrë vendimin drastik për të ndryshuar thuajse gjithçka. ‘Supersport’ raporton se Dinamo do të ndryshojë emrin, logon dhe mënyrën e menaxhimit të skuadrës. Dinamo City do të jetë emri i ri i bluve ndërsa ndryshime do të pësojë edhe uniforma e ekipit. Në vendin ku shkruhet sponsori kryesor, do të jetë ‘Durrës Yachts & Marina’, kjo pasi iniciatorët që kanë ndërmarë këtë projekt janë po ata që kanë marrë përsipër projektin e qytetit të Durrësit.

Zhvillime te Dinamo! “Blutë” e kryeqytetit ndërrojnë
Fanela e re e Dinamos

Pas këtyre ndryshimeve, Ardian Bardhi nuk do të jetë më investitori i vetëm i bluve, por do t’i bashkohen edhe biznesmenë të tjerë. Bardhi pati një takim me kryeministrin Edi Rama, i cili i ka dhënë mbështetjen e tij për këtë projekt.

Ajo çka e bën edhe më interesante gjithë këtë iniciativë është se Dinamo nuk do të jetë më ekip i qytetit të Tiranës, por do të zhvendoset në Durrës aty ku do t’i dhurohen 70 mijë metra tokë nga qeveria në të cilën do të ndërtohet qendra stërvitore.

Zhvillime te Dinamo! “Blutë” e kryeqytetit ndërrojnë
Logo e re e Dinamos

Dinamo City do të jetë në bashkëpunim edhe me akademinë e Manchester City, teksa para pak muajsh u nënshkrua marrëveshja me qeverinë shqiptare. Igli Tare do të ketë një rol të rëndësishëm në këtë organizim teksa do të ndihmojë në ndërtimin e një klubi modern duke zbuluar kështu arsyen e vërtetë të vizitës së tij në miqësoren ndaj Skënderbeut.

E ardhmja duket mjaft premtuese dhe revolucionare për Dinamon, e cila ndryshon gjithçka duke i dhënë kështu startin një epoke të re në tentativë për të rikthyer lavdinë e dikurshme në klub.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll