Politike

Si po distancohen nga inceneratorët dora e ngushtë e Kryeministrit, besojnë Ramën apo akuzat?

Të lënë vetëm nga Kryeministri, i cili çështjen e inceneratorëve dhe qëndrimin për to e quan të mbyllur, disa nga ministret e sotme por edhe ish-ministra, as nuk përpiqen më ti mbrojnë publikisht këto vepra... 

21 Korrik 2023, 12:04 Nga f.g
Si po distancohen nga inceneratorët dora e ngushtë e Kryeministrit,
Delina Ibrahimaj, Ermonela Felaj

TIRANE- Disa orë para se Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të urdhëronte arrestimin e Arben Ahmetajt, ish-kolegët e tij në Kuvend ishin përballë sulmit frontal të opozitës. Partia Demokratike dhe Sali Berisha i akuzojnë për lidhje direkte në çështjen e inceneratorëve, duke renditur përfshirjen e tyre me firmë si ministra në kohën kur u miratua ndërtimi i tyre, ose përfshirjen e familjarë dhe njerëz të afërt në çështje.

Të lënë vetëm nga Kryeministri, i cili çështjen e inceneratorëve dhe qëndrimin për to e quan të mbyllur, disa nga ministret e sotme por edhe ish-ministra, kanë bërë dje një lojë kungulleshkash duke kaluar topin në një derë tjetër, jo te ajo e drejtuar prej tyre. 

Debati Berisha-Felaj, kulmoi me përshëndetjen e tij ndaj qëndrimit të ish-ministres në rastin e Inceneratorit të Tiranës. Berisha akuzoi Felajn se kishte ndërhyrë për  të mos u hetuar nga Tatimet, Klodian Zoto, ndërsa shtoi se ajo kishte dhënë mendim kundër për të marrë bonusin kompania që do të ndërtonte djegësin ITS, (Integrated Teknology Services). 

Por përgjigja e nënkryetares së Parlamentit ishte mbresëlënëse. Me një kundërpohim, Felaj kujtoi se firmat e saj për inceneratorët ishin "KUNDËR", duke lënë të kuptohet qartë, se ajo e  dinte paligjshmërinë mbi të cilën po ndërtohej një djegës.  "Në atë çështje ka vetëm 2 firma të miat dhe të dyja janë kundër."-tha ajo.

Në të njëjtën linjë, edhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj. Në një përpjekje për të sqaruar se paratë e inceneratorëve fantazmë nuk i jep institucioni që ajo drejton, Ibrahimaj tha se paratë paguhen nga Bashkia e Tiranës, jo nga buxheti i shtetit.  “Do doja vetëm një sqarim për opinionin publik, pasi në mënyrë të përsëritur deformohet opinioni publik për çfarë bën qeveria dhe çfarë veprime merr. Nuk paguhet asnjë para nga buxheti i shtetit për impiantet e mbetjeve të Elbasanit, të Fierit, ndërsa për impiantin e Tiranës është një fond në buxhetin e shtetit prej 200 milionë lekësh i cili është një fond kontigjence në rast të paaftësisë paguese të Bashkisë së Tiranës.",-tha ministrja.

Seanca e djeshme në Kuvend tregon se tashmë, të paktën 2 emra nga kupola e drejtimit, refuzojnë lidhjen e tyre me inceneratorët, por hedhin poshtë edhe qëndrimin zyrtar të Kryeministrit. Siç është shprehur më herët, Rama këto vepra i quan një sukses dhe arritje që ka çliruar Shqipërinë nga mbetjet, ndërsa Felaj dhe Ibrahimaj rrëzojnë edhe projektin e qeverisë për mbetjet. Inceneratorët nuk mbrohen dot më, nuk ka kush ti mbrojë. Të gjithë, kanë kuptuar se janë vetëm dhe secili po përpiqet të sqarojë pozicionin e tij. A provon kjo se edhe ministre e ish-ministre i besojnë ato akuza që ka ngritur SPAK? Nëse po, kush ka ngelur për ti mbrojtur?/Dosja.al

ermonela felaj edi delina ibrahimaj

Sondazh

Poll