Bota

Tensionet në Veri të Kosovës 'shqetësojnë' vendet fqinje/ Ministri italian, Antonio Tajani organizon takim me homologët e tij në Shqipëri, RMV e Bullgari

Takimi është planifikuar për më datë 27 korrik. 

19 Korrik 2023, 20:23 Nga a.l
Tensionet në Veri të Kosovës 'shqetësojnë'
Antonio Tajani

ITALI- Tensionet në Veri të Kosovës gjatë dy muajve të fundit kanë ngritur shqetësime edhe në vendet fqinje. Në kuadër të zhvillimeve të fundit mes dy vendeve Kosovë-Serbi, zëvendëkryeministi, njëherësh edhe ministër i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani ka thirrur një takim me homologët e tij nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Takimi është planifikuar për më datë 27 korrik. Tajani ka thënë se vendi i tij dëshiron të luajë rol udhëheqës në rajon për të siguruar paqen dhe stabilitetin, shkruajnë mediat italiane.  

"Tensionet në Kosovën veriore dhe në Bosnje dhe Hercegovinë kërkojnë përpjekje të reja. Italia dëshiron të luajë një rol udhëheqës në sigurimin e paqes dhe stabilitetit. Më 27 korrik do të takoj në Brindisi ministrat e jashtëm të Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Propozimi im ka marrë një aderim të bindur. Ne duam që korridori 8 të jetë jo vetëm një vektor i rritjes, por edhe i bashkëpunimit politik dhe të sigurisë”, është shprehur zëvendësministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani. 

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi serbët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë në veri, që hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. Serbët po kërkojnë tërheqjen e plotë të njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve të rinj. Faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet dhe Prishtina të organizojë zgjedhje të reja. Kosova edhe më herët nuk është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve në komunat në veri – të banuara me shumicë serbe – por zyrtarët shtetërorë kanë kërkuar që ato të përgatiten në mënyrë që të mos ketë bojkot. Zgjedhjet e fundit në veri, ato të prillit kur u zgjodhën kryetarët e rinj shqiptarë, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

antonio tajani tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll