Aktualitet

“Gërdeci”/ Avokati i Mediut: Shpërthimi nuk ishte aksident, kemi indicie për zjarrvënie të qëllimshme

Avokatëve u është dhënë kohë të plotësojnë kërkesën për gjykim të zakonshëm, të specifikojnë provat dhe dëshmitarët.

18 Korrik 2023, 16:25 Nga DOSJA
“Gërdeci”/ Avokati i Mediut: Shpërthimi nuk ishte
Ardian Visha

TIRANE- Gjykata ka shtyrë vendimin për kërkesën e avokatëve të Fatmir Mediut për gjykim të zakonshëm. Vendimi do të merret në seancën që do të zhvillohet më 8 shtator në orën 10:00. Avokatëve u është dhënë kohë të plotësojnë kërkesën për gjykim të zakonshëm, të specifikojnë provat dhe dëshmitarët. Avokati i tij Ardian Visha, deklaroi se do të pyeten si dëshmitarë persona në SHBA, Angli dhe Itali. Ai u shpreh për mediat se shpërthimi nuk ishte aksident, dhe se ka indicie për zjarrvënie të qëllimshme në fabrikën e demontimit.

“Ne nuk besojmë se shpërthimi ishte aksident. Kemi indicie për zjarrvënie të qëllimshme në fabrikën e demontimit”, tha Visha.

Ish-ministri Mediu akuzohet për "shpërdorim detyre" të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak. 109 persona të plagosur dhe familjarë të viktimave kanë sjellë dokumente përfaqësimi në gjykatë, dhe SPAK do të verifikojë nëse janë të dëmtuar nga vepra penale apo jo. Në total gjykata kishte mbi 290 persona.

Është zbardhur kërkesa e plotë e ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut ndaj SPAK, për heqjen dorë nga gjykimi i shkurtuar në lidhje me çështjen e Gerdecit.

Kërkesa e plotë: 

“Në cilësinë e përfaqësuesve ligjore të Z.Fatmir MEDIU, gjatë shqyrtimit prej jush të çështjes në seancë paraprake, kërkuam kalimin për gjykim dhe realizimin e procesit me rit të shkurtuar. Ky qëndrim mbështetej në faktin e qartë të parashkrimit të ndjekjes penale për veprat penale që i atribuon ende Prokuroria e Posaçme Z.MEDIU. Në këto rrethana, në këndvështrimin e mbrojtjes, një debat për thelbin e akuzave do të ishte i panevojshëm.

Vendimi juaj i ndërmjetëm, me anën e te cilit rezervuat të drejtën për t’u shprehur lidhur me këtë çështje të rëndësishme të zbatimit të ligjit vetëm në vendimin përfundimtar (për më tepër i paarsyetuar), përbën shkak të reflektimit tonë procedural dhe të bindjes se gjetja e të vërtetës në këtë çështje, realizohet në mënyrë më të plotë e të gjithanshme, vetëm nëpërmjet gjykimit të zakonshëm, me debat mbi provat.

Përcaktimi ligjor i afateve te parashkrimit dhe tejkalimi i tyre ndjeshëm në këtë rast, do te duhej te vlerësohej në mënyrë të menjëhershme, sidomos në dobi të ekonomisë giyqësore.

Sa me lart, edhe në dritën e vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, nr. 1, datë 28.10.2022, i cili qartësisht e rrëzon argumentin e akuzës për ndërprerjen e afatit të parashkrimit.

Gjithashtu, në seancën gjyqësore të datës 07.06.2023, u njohëm me mendimin e përfaqësuesve të prokurorisë për të thirrur në proces, me cilësinë e viktimës, të gjithë personat që patën pësuar dëme nga aksidenti i Gërdecit, qëndrim që de facto asgjëson këmbënguljen e tyre para së njëjtës gjykatë, se kërkuesit nuk plotësonin kriteret ligjore për t’u thirrur në këtë cilësi ne procesin ndaj z. MEDIU. Në vijim të kësaj kërkese, edhe gjykata, me një qëndrim tërësisht inkoherent, e pranoi kërkesën e prokurorisë, duke mohuar atë që pati vendosur në seancat pararendëse. Këto qëndrime diametralisht te kundërta, si nga prokuroria ashtu edhe nga gjykata, na krijojnë bindjen se gjykimi i shkurtuar nuk ofron asnjë garanci se procesi ndaj z. MEDIU do të jetë një proces i ndershëm dhe i drejtë.

Në rrethanat specifike të sipërtreguara, çmojmë se heqja dorë nga riti i shkurtuar dhe zhvillimi i një procesi debatues mbi provat dhe vlerën e tre provuese, duke ia nënshtruar çdo provë debatit të kryqëzuar të palëve, përbën alternativen me të dobishme për zgjidhjen e drejte të çështjes. Për këtë arsye, ne pretendojmë marrjen e provave të reja me dëshmitare, kryerjen e ekspertimeve dhe riekspertimeve teknike dhe marrjen e provave të reja dokumentare, të domosdoshme për zgjidhjen e drejte të çështjes. Kjo mënyrë procedimi dhe marrja e provave të reja bëhet edhe më e rëndësishme, teksa gjendja e akteve ne fashikullin e prokurorisë daton në vitin 2009, ndërkohë që zhvillime të reja gjyqësore, të konkluduara me vendime përfundimtare, sjellin një realitet tjetër të fakteve, të ndryshëm nga hipotezat e akuzës.

Përfundimisht, në unitet qëndrimi me të përfaqësuarin prej nesh z. Mediu, dorëzo me kërkesën tonë duke shprehur vullnetin e tij, për të hequr dorë nga riti i shkurtuar qe përzgjodhëm në krye të herës dhe për të proceduar me gjykimin e zakonshëm. I mbrojturi prej nesh Z. Mediu çmon se kjo është rruga më e drejtë për të demonstruar pafajësinë e tij në këtë çështje.

Me bindjen për të drejtën e kërkimit dhe pranimin përkatës prej jush, shprehim konsideratën më të lartë”.

Sondazh

Poll