Politike

Largimi i të rinjve, Kushi bën përgjegjës BE-në: I kanë liberalizuar të gjitha procedurat, i pranojnë edhe pa u njohur diploma

Ajo është shprehur se nuk ka ceduar sistemi shqiptar, por vendet e BE-së kanë liberalizuar të gjitha procedurat, për t’i punësuar mjekët që vijnë nga shtetet e tjera.

11 Korrik 2023, 12:42 Nga DOSJA
Largimi i të rinjve, Kushi bën përgjegjës BE-në: I
Evis Kushi

TIRANË- Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e pranishme në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ka bërë përgjegjës vendet e BE-së, në lidhje me largimin e mjekëve nga Shqipëria. Ajo është shprehur se nuk ka ceduar sistemi shqiptar, por vendet e BE-së kanë liberalizuar të gjitha procedurat, për t’i punësuar mjekët që vijnë nga shtetet e tjera. Ajo tha se vendet e BE-së kërkojnë çdo ditë mjekë, dhe se i kanë liberalizuar të gjitha procedurat për t’i punësuar bluzat e bardha që vijnë nga vendet e tjera. Ministrja shtoi më tej se mjekët pranohen në një vend pune, edhe pa njohur diplomën. Në fund Kushi e mbylli fjalën e saj duke theksuar se sistemi është më i mirë se ai që kishim, por numri i largimeve është rritur, pasi çdo ditë në gazetat e vendeve të BE-së ka njoftime ku kërkohen punonjës në fushën e shëndetësisë e jo vetëm.

“Tani, pse largohen mjekët?! U përmend disa herë se mjekët largohen, sepse ky është një cedim i sistemit. Në fakt ne biem dakord që kemi ende shumë punë për të bërë. Që kemi problematika, patjetër që kemi. Ndërkohë janë bërë shumë punë, shumë përparime, ka shumë zhvillim. Që duhet të bëjmë akoma, patjetër. Por arsyeja kryesore, ju e thatë edhe vetë në fjalët tuaja, është që vendet e BE-së kërkojnë çdo ditë mjekë.

I kanë liberalizuar të gjitha procedurat për t’i punësuar mjekët që vijnë nga vendet e tjera. Edhe para 10 vjetësh, 15 vjetësh, 5 vjetësh kishte mjekë apo edhe qytetarë që donin të shkonin drejt këtyre vendeve. Sepse ne nuk mund ta konkurrojmë as Gjermaninë, SHBA-në, sado t’i rrisim pagat apo mirëqenien.

Por, sot ata shkojnë dhe janë të sigurtë që menjëherë u ofrohet një vend pune, madje edhe pa njohur diplomën. Ju e thatë vetë që qytetarët e vendeve të BE-së nuk duan më të studiojnë më për mjekësi, sepse është një shkollë e vështirë, sepse kërkojnë gjëra më të lehtë. Pra ata janë në krizë.

Kjo sigurisht që i tundon mjekët tanë për një jetë më të mirë, një nivel page më të lartë. Ne sigurisht që i kemi rritur pagat. Por arsyeja, nuk është se çedoi sistemi. Sistemi është më i mirë se ai që kishim, por numri i largimeve është rritur sepse çdo ditë në gazetat e vendeve të BE-së ka njoftime, kërkohen punonjës në fushën e shëndetësisë, në fushën e IT, etj".

Sondazh

Poll