Politike

DOSJA- Dalin bisedat e Ahmetajt me Mërtirin dhe ish-kryetarin e Bashkisë për inceneratorët: Do ulemi në kafe

SPAK pretendon se ka prova që Ahmetaj ka përfituar 500 mijë euro si dhe dy vila në Palasë dhe Hamallaj nga afera e inceneratorëve.

11 Korrik 2023, 11:51 Nga A.B
DOSJA- Dalin bisedat e Ahmetajt me Mërtirin dhe ish-kryetarin e
Arben Ahmetaj

TIRANË- Dosja e SPAK kundër ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj e cila do prezantohet ditën e sotme në orën 16:00 në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, përmban edhe disa komunikime të tij me persona të përfshirë në çështjen e inceneratorëve.

Gazetarja Klodiana Lala zbulon se në dosje janë disa komunikime të Ahmetajt me Mirel Mërtirin që në vitin 2012.

“Mes Ahmetajt dhe Mërtirit ka pasur komunikim të afërt për sa kohë ata i drejtohen njeri tjetrit me nofka dhe ata flasin me detaje për gjithçka ndodh mes tyre. Në një moment Mërtiri e pyet Ahmetajn dhe i thotë që “gjithë PS dhe udhëheqja e PS ka zbarkuar në Korçë”. Ahmetaj i përgjigjet

“Unë isha i ftuar por ndodhem jashtë Shqipërisë në udhëtime”. Në kuadër të këtij akt ekspertimi rezulton se Ahmetaj komunikon me ish kryetarin e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo të cilit i kërkon të komunikojnë dhe të ulen bashkë me Mërtirin në kafe dhe më pas vijojnë komunikimet mes Zotos, Mërtirit dhe ish kryetarit të bashkisë”, thuhet në dosjen kundër Ahmetajt.

Sipas Lalës, SPAK pretendon se ka prova që Ahmetaj ka përfituar 500 mijë euro si dhe dy vila në Palasë dhe Hamallaj nga afera e inceneratorëve.

“Bëhet fjalë për detaje ku janë renditur prova dhe fakte që SPAK pretendon se ka kundër Ahmetajt. Ndërkohë që ky i fundit përmes avokatëve të tij është i pafajshëm për këto akuza. Sa i përket transaksioneve ato janë kryer përmes personave të dytë dhe të tretë dhe në të gjitha rastet ato janë paguar nga bosët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto të cilët janë në kërkim. Ahmetaj ka dyshime të ketë përfituar një shumë prej 500 mijë euro, një vilë në Palasë dhe një vilë në Hamallaj. Nga udhëtimet që ka kryer jashtë vendit Ahmetaj nuk ka qenë vetëm, por ka udhëtuar bashkë me bosin e inceneratorëve, Mirel Mërtiri”, raportoi Lala.

Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit në Shqipëri (SPAK) dorëzoi një ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit të Financave dhe deputetit aktual të Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj. Kërkesa mban datën 7 korrik dhe nënshkrimin e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. SPAK thekson se kërkon autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë, për arrestimin ose heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal dhe të banesës së deputetit. Arben Ahmetaj akuzohet për “Mosdeklarim apo fshehje të pasurive”, “Korrupsion pasiv” si dhe “Pastrim parash”./Dosja.al

arben ahmetaj

Dokumenta bashkëngjitur

Sondazh

Poll