Bota

Masat e BE-së ndaj Kosovës, Kurti: Jemi aleati më i sinqertë dhe më i qëndrueshëm

Në raportin e fundit Kurti tha se BE-ja e vlerëson Kosovën në arritjet e saj në luftën kundër korrupsionit, demokratizimin, zhvillimin ekonomik dhe avancimin në kornizën ligjore. 

29 Qershor 2023, 11:09 Nga a.l
Masat e BE-së ndaj Kosovës, Kurti: Jemi aleati më i sinqertë
Albin Kurti

KOSOVË- Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për masat e paralajmëruara nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Siç raportojnë mediat kosovare, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti tha se Komisioni Evropian ka përgatitur një listë me masa kundër Kosovës, e që dje i ka prezantuar para Parlamentit Evropian. Ai deklaroi se BE-ja tek Kosova gjen partnerin më të sinqertë e të qëndrueshëm. 

“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. BE te Kosova e gjen partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe të qëndrueshëm të vlerave evropianeve, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate, Kosova të tillë e ka Qeverinë, të tillë e ka popullin. Së pari popullin e pastaj Qeverinë”, deklaroi ai.

Kryeministri theksoi se ka besim tek BE-ja dhe se nuk kanë qenë kurrë kritik ndaj vendimeve të tyre. 

“Në raste kemi qenë kritik ndaj BE-së por asnjëherë as cinik e as të hidhëruar. Nuk jemi as sot. Kur në dhjetor të vitit të kaluar e dorëzuam aplikimin tonë për pranim,  atë e bëmë duke besuar se meritojmë që në një të ardhme të parashikueshme të jemi pjesë e këtij unioni sepse besojmë në këtë union. Të njëjtin besim e kemi edhe sot”, ka thënë ai.

Në raportin e fundit Kurti tha se BE-ja e vlerëson Kosovën në arritjet e saj në luftën kundër korrupsionit, demokratizimin, zhvillimin ekonomik dhe avancimin në kornizën ligjore. 

“Raporti i fundit për vendin tonë i hartuar nga KE e përshkruan  dhe e vlerëson Kosovën në dritën më pozitive ndonjëherë. Si në luftën kundër korrupsionit, si në demokratizimin, zhvillim ekonomik  ashtu edhe në avancim të kornizës ligjore. Aty e gjejmë hijen e vërtet të BE-së si organizëm mbi kombëtar, i drejtë dhe meritokratë dhe pavarësisht zhvillimeve rrethanore ne e vlerësojmë përkrahjen e ndihmën e BE-së përgjatë gjithë këtyre viteve dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim. Sepse Evropa është kontinenti ynë e BE-ja fati ynë”, tha kryeministri.

Bashkimi Europian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të njoftojë për masat ndëshkuese të përgatitura ndaj Kosovës për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të shtetit. Kështu ka thënë drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Europian, Jan Koopman. Ai, së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë marrë pjesë në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Europian.  

tensione në veri të kosovës albin kurti

Sondazh

Poll