Sport

Mblidhet Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, Duka konfirmohet si zv.kryetar i “Hat-Trick” dhe zgjidhet kryetar i Komisionit të Medias…

Pjesë e komisioneve të UEFA-s do të jenë edhe përfaqësues të tjerë të FSHF-së dhe futbollit shqiptar.

28 Qershor 2023, 18:53 Nga DOSJA
Mblidhet Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, Duka konfirmohet si zv.kryetar i

ZVICER - Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është mbledhur sot në Nion të Zvicrës për të shqyrtuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me zhvillimin e futbollit europian, por edhe për të formatuar dhe përzgjedhur përbërjen e komisioneve dhe paneleve të reja të qeverisë së futbollit europian.

Në këtë mbledhje mori pjesë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili u rizgjodh në mandatin e dytë si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, pas zgjedhjeve të zhvilluar në muajin prill në Portugali.

Gjatë mbledhjes presidenti Duka është rikonfirmuar në postin e zv.kryetarit të Komitetit “Hat-Trick”, një prej organeve më të rëndësishme në qeverinë e futbollit europian, si edhe është zgjedhur në postin e kryetarit të Komisionit të Medias në UEFA, ndërsa sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku është zgjedhur ai anëtar i Komisionit të Futbollit në UEFA.

Pjesë e komisioneve të UEFA-s do të jenë edhe përfaqësues të tjerë të FSHF-së dhe futbollit shqiptar. Kështu, anëtarja e KE-së, Anila Basha është zgjedhur si anëtar e Komisionit për Futbollit e Femrave, kurse anëtari tjetër i KE-së së FSHF, Envi Hicka do të jetë anëtar i Komisionit Ligjor të UEFA-s.

Edhe drejtori teknik i FSHF-së, Fulvio Pea është zgjedhur anëtar i Komisionit të Zhvillimit dhe Asistencës Teknike në UEFA. Drejtori i Edukimit në FSHF-së, Sulejman Starova është përzgjedhur si anëtar i Panelit Jira, teksa përgjegjësi i Futbollit të Fëmijëve në FSHF, Andi Zëre, është zgjedhur si anëtar i Panelit të Futbollit Grassroots.

Drejtori i Sektorit të Arbitrimit, Sokol Jareci, është përzgjedhur ai anëtar i Panelit të Konventës së Arbitrave dhe së fundi Gazmend Malo do të jetë anëtar i Komisionit Këshillimor të Marketingut në UEFA.

Ndërkaq, në këtë mbledhje Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u mori edhe një sërë vendimesh të tjera. Stadiumi “José Alvalade” i Lisbonës u caktua të presë finalen e UEFA Champions League për femra në vitin 2025.

Stadiumi “Agia Sofia” në Athinë dhe Wrocław (WKS Śląsk Wrocław) do të presin finalet e UEFA Europa Conference League në vitet 2024 dhe 2025, respektivisht.

Komiteti Ekzekutiv zgjodhi Poloninë si mikpritëse të Kampionatit Evropian të UEFA-s për Femra U-19 në 2025, bën me dije zyra e shtypit në FSHF.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll