Bota

Sveçla nga Bare: Serbia po hakmerret për arrestimin e kriminelit Llune

Ai shtoi se ky është një kundërveprim për arrestimin e Milun Lune Milenkoviç drejtuesi i Mbrojtjes Civile në veri me shtetësi serbe. 

14 Qershor 2023, 19:30 Nga a.l
Sveçla nga Bare: Serbia po hakmerret për arrestimin e kriminelit
Xhelal Sveçla

KOSOVË- Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pasi ka mbërritur në Bare, në vendin ku janë rrëmbyer tre policët kufitarë të Kosovës nga Njësia Speciale e Policisë së Serbisë, ka deklaruar se policia apo ushtria e Serbisë është futur në brendi të territorit të Kosovës rreth 600 metra. Ndërsa shtoi se ky është një kundërveprim për arrestimin e Milun Lune Milenkoviç drejtuesi i Mbrojtjes Civile në veri me shtetësi serbe. 

“Më treguan se policia apo ushtria e Serbisë është futur 600 metra brenda territorit të Kosovës e pastaj kanë vazhduar në grupe të ndara në këmbë dhe janë futur diku rreth një km brenda territorit të Kosovës dhe kanë kidnapuar 3 zyrtarë policorë nga Njësiti për Mbikëqyrje të Kufirit, të cilët, edhe me vetë deklarimin e autoriteteve të Serbisë, janë të arrestuar. Serbia qartë po mundohet ta minojë rrugën tonë drejt shtet-ndërtimit të plotë, shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës, që absolutisht s’do t’ia dalë, as të na ndalë e as të na sprapsë, sepse ne jemi në të drejtën tonë dhe do të veprojmë sipas ligjit”, deklaroi Sveçla, duke shtuar se “ky akt, për ne dhe për botën demokratike, është një incident i rëndë”.

Merren peng 3 policët

Tre policë kufitar se janë marrë peng këtë të mërkurë datë 14 qershor në vendin e quajtur Tresave/Bare, brenda në territorin e Kosovës, më konkretisht një fshat në komunën e veriut në Leposaviç. Sipas policisë, ata janë rrëmbyer nga forcat serbe, teksa kanë qenë në detyrë për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Policia njofton se 3 efektivët kanë njoftuar policinë se 3 persona të maskuar dhe armatosur kanë shkuar drejt tyre. Nga ky moment forcat e tjera policore kanë shkuar në kufi, ku kanë gjetur vetëm makinën e 3 policëve. Sipas mediave të Kosovës efektivët dyshohet se janë rrëmbyer nga Njësia serbe “Kobra”.

xhelal svecla tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll