Bota

Si arritën efektivët serb të futen në territorin e Kosovës, zëdhënësi i Policisë: Kemi pasur informacione, i kemi ndarë me KFOR-in

Ai ka thënë se ka pasur informacione në baza ditore, se xhandarmëria serbe është ekspozuar shpesh në vijën kufitare të Kosovës.

14 Qershor 2023, 18:24 Nga I.A
Si arritën efektivët serb të futen në territorin e
Baki Kelani

KOSOVË- Policia e Kosovës aktualisht ka mbajtur një konferencë për media, pas dyshimeve se tre zyrtarë policorë janë rrëmbyer nga Policia e Serbisë. Njëra prej pyetjeve që iu bë zëdhënësit të Policisë, Baki Kelani, nga gazetarët, ishte edhe ajo se si arritën policia serbe të hynë në territorin e Kosovës.

Ai ka thënë se ka pasur informacione në baza ditore, se xhandarmëria serbe është ekspozuar shpesh në vijën kufitare të Kosovës.

“Sa i përket çështjes, kemi pasë informacione, por ju e dini që informacione të kësaj natyre ka pasë të shfaqura në baza ditore, qoftë edhe prej xhandarmërisë serbë që kanë dalë shpesh janë ekspozuar shpesh në vijën kufitare, përfshrië helikopterë e mjete të ndryshme që Serbia ka përdorë në afërsi të territorit të Kosovës, të gjitha këto informacione janë shkëmby dhe janë nda me partnerë tanë si KFOR-i”, tha ai.

Kelani ka vazhduar duke thënë se të gjitha veprimet po koordinohen me partnerët ndërkombëtarë.

“KFOR-i është njoftu, jemi duke koordinu të gjitha aktivitetet me ta, janë duke kryer ekzaminime në terren, kemi njoftu të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që të bëhet trysni që zyrtarët tanë të kthehen në policinë e Kosovës, te fëmijët e tyre,” tha ai.

Tre policë kufitar se janë marrë peng këtë të mërkurë datë 14 qershor në vendin e quajtur Tresave/Bare, brenda në territorin e Kosovës, më konkretisht një fshat në komunën e veriut në Leposaviç. Sipas policisë, ata janë rrëmbyer nga forcat serbe, teksa kanë qenë në detyrë për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Policia njofton se 3 efektivët kanë njoftuar policinë se 3 persona të maskuar dhe armatosur kanë shkuar drejt tyre. Nga ky moment forcat e tjera policore kanë shkuar në kufi, ku kanë gjetur vetëm makinën e 3 policëve. Sipas mediave të Kosovës efektivët dyshohet se janë rrëmbyer nga Njësia serbe “Kobra”. 

baki kelani tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll