Bota

Rrëmbimi i 3 policëve në Veri/ Konjufca: BE e SHBA të dënojnë Serbinë për aktet e agresionit

Ai ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht BE-ja dhe SHBA-ja që të dënojnë aktet e agresionit nga Serbia kundrejt Kosovës, ndërsa ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të 3 policëve. 

14 Qershor 2023, 18:41 Nga a.l
Rrëmbimi i 3 policëve në Veri/ Konjufca: BE e SHBA të
Glauk Konjufca

KOSOVË- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar lidhur me rrëmbimin e 3 policëve kufitarë nga serbët në afërsi të Leposaviç. Ai ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht BE-ja dhe SHBA-ja që të dënojnë aktet e agresionit nga Serbia kundrejt Kosovës, ndërsa ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të 3 policëve. 

"E dënoj aktin e rëndë të rrëmbit të tre policëve kufitarë të Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe. 
Ky akt i cënimit të sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës nga Serbia është tregues i qartë se kush dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve. Në kohën kur Serbia do duhej të urdhëronte bandat kriminale në veri të Kosovës që të tërhiqeshin nga përpjekja për destabilizim të rendit në katër komunat veriore të Kosovës, ajo vazhdon më tutje duke i përfshirë formacionet zyrtare policore në cënimin e integritetit territorial të Kosovës.  Në kohën kur qeveria e Kosovës po del me propozime për t'i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje. Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ. Me këtë akt, Serbia në menyrë të hapur dhe tepër të rrezikshme e ka hedhur poshtë marrëveshjen bazë të normalizimit të marrëdhënieve të pranuar në Ohër dhe Bruksel", ka thënë Konjufca.

Merren peng 3 policët

Tre policë kufitar se janë marrë peng këtë të mërkurë datë 14 qershor në vendin e quajtur Tresave/Bare, brenda në territorin e Kosovës, më konkretisht një fshat në komunën e veriut në Leposaviç. Sipas policisë, ata janë rrëmbyer nga forcat serbe, teksa kanë qenë në detyrë për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Policia njofton se 3 efektivët kanë njoftuar policinë se 3 persona të maskuar dhe armatosur kanë shkuar drejt tyre. Nga ky moment forcat e tjera policore kanë shkuar në kufi, ku kanë gjetur vetëm makinën e 3 policëve. Sipas mediave të Kosovës efektivët dyshohet se janë rrëmbyer nga Njësia serbe “Kobra”.

glauk konjufca tensione në veri të kosovës

Sondazh

Poll